BallinaLAJMENatë historike për Kosovën, Botërori një fitore larg

Natë historike për Kosovën, Botërori një fitore larg

Kosova ka shkruar histori me kalimin në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Kosova e siguroi kalimin në finale të plejofit pas shkëlqimit në Bratislavë të Sllovakisë.

“Dardanët” mposhtën Sllovakinë, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, me rezultat 4:3.

Është arritja më e madhe e Kosovës deri më tani. I duhet një fitore ndaj Turqisë më 31 mars në “Fadil Vokrri” për ta fituar biletën për Botërorin që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kosova e nisi keq ndeshjen. Pësoi gol që në minutën e gjashtë. Pas një ndërprerje, Aro Muriq u mposht. Realizoi Martin Valjent. Ai shënoi me kokë, në mesin e disa mbrojtësve të Kosovës. Por Kosova nuk u ndalë. Kërkoi golin e barazimit, të cilin e arriti në minutën e 21-të.

Veldin Hoxha realizoi me të majtën nga afro 18 metra pas pasimit nga Mërgim Vojvoda.

Sllovakët më pas shënuan tjetër gol për epërsinë e dytë. Lukas Haraslin realizoi në fund të pjesës së parë për 2:1.

Ai realizoi nga gjuajtja e lirë. Edhe pse topi dukej si harkim, ai kaloi krejt mbrojtjen para golit dhe përfundoi në rrjetën e Aro Muriqit.

Me rezultat 2:1 u mbyll pjesa e parë.

“Dardanët” e nisën furishëm pjesën e dytë. Fisnik Asllani realizoi gol me kokë në minutën e 47-të për rezultatin 2:2.

Me supergolin e Florent Muslijës nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, Kosova kaloi në epërsi 3:2.
Kreshnik Hajrizi realizoi në minutën e 72-të, në epërsinë 4:2 të Kosovës.

David Strelec shënoi golin e tretë për sllovakët në minutën e 94-t. Por festa ishte e Kosovës.

Finalja luhet të martën e ardhshme në “Fadil Vokrri”. Fituesi i ndeshjes Kosovë – Turqi siguron biletën për Botëror.

Lajme te lidhura

spot_img