M-r Safit Zeqiri
Pikërisht në momentin kur diplomacia duhej të merrte rolin kryesor, Egjeu sërish shndërrohet në skenë tensionesh mes Greqisë dhe Turqisë. Incidentet e reja dhe mesazhet e ashpra vijnë në një çast të ndjeshëm – menjëherë para takimit të paralajmëruar mes Rexhep Taip Erdogan dhe Kyriakos Mitsotakis, si dhe mbajtjes së Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit në Ankara. Në vend të qetësimit, rajoni sërish merr erë baruti.
Egjeu prej kohësh nuk është vetëm det, ai është arenë politike, barrë historike dhe enigmë sigurie që prej dekadash mbetet e pazgjidhur. Çdo fluturim i një avioni luftarak, çdo stërvitje detare apo deklaratë mediatike është një mesazh, jo vetëm për fqinjin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Në një atmosferë të tillë, është e vështirë të flitet për dialog të sinqertë pa një demonstrim paraprak force.
Greqia i referohet së drejtës ndërkombëtare dhe kornizës evropiane, ndërsa Turqia interpretimit të vet të interesave të sigurisë dhe gjeostrategjisë, pra kjo përplasje narrativesh nuk është e re, por koha në të cilën ndodh është ndryshe – shumë më e rrezikshme. Sepse, paralelisht me tensionet në Egje, bota merr një mesazh që ndryshon matematikën e sigurisë, nëse Rusia e shkel armëpushimin, Evropa dhe SHBA-të do të përgjigjen ushtarakisht, në koordinim me Ukrainën.
Ky është një moment kthese, nga paralajmërimet diplomatike, Perëndimi kalon drejt vijave të kuqe të qarta dhe të artikuluara publikisht. Zonat gri po ngushtohen, ndërsa hapësira për kalkulime taktike po zvogëlohet. Në një kontekst të tillë global, asnjë konflikt rajonal nuk është i izoluar. Egjeu, Mesdheu Lindor dhe Ballkani janë të lidhur drejtpërdrejt me përballjen më të gjerë mes fuqive të mëdha.
Takimi Erdogan–Mitsotakis tani ndodhet nën një provë serioze. A do të jetë ai vetëm një fotografi formale pa rezultate thelbësore, apo një mundësi reale për deeskalim? Historia na mëson se krizat shpesh shfrytëzohen për forcimin e pozicionit të brendshëm politik, por kostoja e një strategjie të tillë sot mund të jetë shumë më e lartë se më parë.
Në një kohë kur flitet për përgjigje ushtarake, blloqe të reja dhe përballje të hapura, përgjegjësia e liderëve rajonalë është më e madhe se kurrë. Sepse, kur fuqitë e mëdha i shtrëngojnë litarët, shkëndijat e vogla më lehtë shndërrohen në zjarre.
Egjeu sot nuk është vetëm një test për marrëdhëniet greko-turke. Ai është një provë për atë nëse diplomacia ende ka peshë në një botë që gjithnjë e më shpesh flet me gjuhën e forcës.



