Izraeli mëngjesin e sotëm kreu sulme të rënda ajrore në zonat periferike jugore të Bejrutit, të cilat janë nën kontrollin e Hezbollahut, pasi grupi i mbështetur nga Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit. Sulmi i Hezbollahut erdhi si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit, Ali Hamenei, shkruan “Gardijan”.
Banorët e Bejrutit u zgjuan në orën 3 të mëngjesit të sotëm nga dhjetëra shpërthime, ndërsa Izraeli shënjestroi tre lokacione të ndryshme në periferitë jugore të kryeqytetit. Shpërthimet tronditën dritaret në të gjithë qytetin dhe u dëgjuan me kilometra të tëra.
Në sulmet e mbrëmshme izraelite ndaj Libanit, u vranë 31 persona, ndërsa 149 u plagosën, publikuan mediat franceze, duke cituar të dhëna nga Ministria libaneze.
Në ndërkohë, banorët e Libanit jugor raportuan fluturime nga aeroplanët ushtarakë dhe gjuajtje të bombave në sulmet në një zonë më të gjerë të jugut të vendit, gjatë të cilave u shembën ndërtesa në fshatrat të afërsi të qytetit Tir.
Hezbollahu kumtoi se rreth natës lëshoi një breshëri raketash dhe dronë ndaj objektit të mbrojtjes nga raketat Mishmar al-Karmel në afërsi të Haifës. Prej atje deklaruan se kjo ishte “hakmarrje” për vrasjen e Hameneit dhe se po vepronin “në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij”.
Përgjigja izraelite erdhi vetëm disa orë më vonë. Armata publikoi se kishte goditur caqe të Hezbollahut në të gjithë Libanin jugor, në luginën Beka dhe në periferinë Dahie në Bejrut. IDF konfirmoi se disa nënpunës të lartë të Hezbollahut u vranë në sulmet ndaj Dahie.
“Hezbollahu sonte nisi një fushatë kundër Izraelit dhe mban përgjegjësi të plotë për çdo përshkallëzim. Çdo armik që kërcënon sigurinë tonë do të paguajë një çmim të lartë”, tha shefi i armatës izraelite, gjeneral nënkoloneli Ejal Zamir, në një kumtesë për mediat.
Armata izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për 55 fshatra dhe qytete në të gjithë Libanin, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të paktën 1.000 metra larg këtyre zonave sepse ato janë në afërsi të “operativëve dhe objekteve të Hezbollahut”.
IDF mbrëmë publikoi mobilizimin e 100.000 rezervistëve, prej të cilëve shumica janë vendosur përgjatë kufirit me Libanin.
Pas sulmit, vërshim njerëzish filluan të largoheshin nga Dahie, me automjete dhe në këmbë. Radhë automjetesh u formuan jashtë stacioneve të pompave të benzinës në qytetin jugor të Tire, ndërsa banorët u drejtuan drejt veriut. Autostradat që të çojnë nga Dahie deri në qendër të Bejrutit ishin të mbushura me skuterë dhe automjete që lëviznin përmes rrënojave të sulmit. Në jug, njerëzit drejtonin në të dyja drejtimet në autostradë për të shmangur bllokimet e komunikacionit.



