Mediat ndërkombëtare vijojnë të raportojnë dhe transmetojnë drejtpërdrejt protestën që prej ditësh po zhvillohet në Tiranë, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Reuters, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “Shqipëria nuk është në shitje” dhe brohorisnin “Shqipëria e Re” përpara Kryeministrisë, ndërsa turma u shtri përgjatë një prej bulevardeve kryesore të Tiranës.
Në analizën e saj, agjencia thekson se kjo situatë përbën një tjetër sfidë politike për kryeministrin Rama, i cili drejton vendin që prej vitit 2013. Sipas raportimit, një pjesë e qytetarëve e akuzojnë qeverinë për mungesë progresi në luftën kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e shërbimeve publike, përfshirë shëndetësinë.
Reuters citon gjithashtu deklaratat e Ramës, i cili është shprehur se projekti në fjalë do të vijojë dhe do të realizohet në mënyrë të përgjegjshme, duke theksuar edhe masat e ndërmarra kundër korrupsionit, përfshirë veprimtarinë e SPAK.
Megjithatë, sipas agjencisë, pakënaqësitë ndaj qeverisë mbeten të larta. Reuters kujton gjithashtu përplasjet e mëhershme gjatë protestave të këtij viti, që lidhen me akuza për korrupsion dhe tensione politike, ndërsa thekson se mosbesimi ndaj institucioneve mbetet ende i thellë në vend.



