BallinaLAJMEShqipëriDita e shtatë e protestave masive në Tiranë për mbrojtjen e Zvërnecit

Dita e shtatë e protestave masive në Tiranë për mbrojtjen e Zvërnecit

Edhe pas më shumë se tre orësh e gjysmë nga nisja e protestës, qindra qytetarë vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, duke dëshmuar se revolta qytetare nuk po shuhet me kalimin e orëve. Ndryshe nga tubimet tradicionale politike, ku pjesëmarrja zakonisht bie pas fjalimeve të para, në këtë protestë qytetarët kanë vazhduar të mbushin sheshin dhe të artikulojnë të njëjtat kërkesa që kanë dominuar prej një jave, transmeton Pamfleti.

Mes flamujve kuqezi dhe pankartave të shumta, dëgjohen vazhdimisht thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe kundër kreut historik të opozitës, Sali Berisha. “Rama ik”, “Berisha ik”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk shitet” janë disa nga mesazhet që kanë shoqëruar tubimin gjatë gjithë pasdites.

Pjesëmarrësit shprehen se protesta ka tejkaluar prej kohësh një kauzë të vetme dhe është kthyer në një revoltë më të gjerë kundër klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për dekada pa sjellë ndryshimin e premtuar. Në pankarta dhe fjalime është përsëritur kërkesa për një Shqipëri të re, me institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave të një grupi të vogël politik e ekonomik.

Ndërsa protesta vijon, organizatorët dhe pjesëmarrësit theksojnë se mobilizimi nuk do të ndalet. Për ta, fakti që qindra qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë në shesh edhe pas orësh të tëra është tregues se pakënaqësia është reale dhe se kërkesa për ndryshim po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.

Pas shtatë ditësh tubime të pandërprera, mesazhi që vjen nga sheshi mbetet i njëjtë: largimin e elitës së vjetër politike dhe hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë.

Në qendër të revoltës nuk është më vetëm një projekt i diskutueshëm apo një vendimmarrje e caktuar. Protesta është kthyer në një shprehje të pakënaqësisë së akumuluar ndaj 13 viteve qeverisje. Në pankarta dhe thirrje dëgjohen vazhdimisht mesazhe si “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Edi Rama duhet të largohet”, por edhe kërkesa për ndëshkimin e të gjithë klasës politike që, sipas protestuesve, ka dështuar të përfaqësojë interesat e qytetarëve.

Për shumë prej tyre, problemi nuk është më vetëm qeveria aktuale, por një model i tërë politik që ka prodhuar emigrim masiv, mungesë shprese për të rinjtë, paga e pensione që nuk ndjekin ritmin e kostos së jetesës dhe një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj institucioneve.

Ndërsa mijëra qytetarë mbushën bulevardin para Kryeministrisë dhe protesta u shtri në disa qytete të vendit, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i drejtohej opinionit ndërkombëtar me një reagim të gjatë në gjuhën angleze, ku u përpoq të minimizojë përmasat e mobilizimit dhe jehonën që protestat kanë marrë në mediat botërore. Rama përdori pamje me dron nga mediat e tij, duke tentur të tregojë se protesta nuk ka mbështetje.

Në postimin e tij, të publikuar në anglisht dhe të adresuar ndaj mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN, Rama pretendon se protesta e së shtunës ka mbledhur vetëm rreth 2 mijë persona dhe se në asnjë moment nuk ka kaluar shifrën e 8 mijë pjesëmarrësve.

“Deri në këtë moment, protesta e sotme ka mbledhur afërsisht 2 mijë pjesëmarrës. Është pjesëmarrja më e ulët deri tani, por edhe në kulmin e saj pjesëmarrja nuk ka kaluar asnjëherë 8 mijë persona. Atëherë si është e mundur që ajo që bota ka parë gjatë ditëve të fundit duket kaq e madhe, kaq dramatike dhe kaq mbresëlënëse? Në një moment, kur histeria dixhitale e këtyre ditëve të ketë kaluar dhe emocionet të jenë qetësuar, bota demokratike duhet të analizojë se si hendeku mes realitetit dhe mënyrës se si ai është paraqitur u bë kaq i madh”, shkroi Rama.

Megjithatë, pamjet e publikuara nga kryeministri nuk paraqesin momentin kur protesta arriti kulmin. Videoja me dron është realizuar në një kohë kur shumë qytetarë ndodheshin ende në marshim drejt Kryeministrisë dhe kur grupe të tjera po i bashkoheshin vazhdimisht tubimit. Pak më vonë, zona para godinës së qeverisë u mbush me protestues, ndërsa tubimi vijoi për orë të tëra.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur protesta ka kaluar kufijtë e Tiranës dhe është shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa mbështetje ka marrë edhe nga diaspora shqiptare në Londër, Vjenë, Milano, Berlin dhe qytete të tjera europiane. Për shumë protestues, fakti që Rama zgjodhi t’u drejtohej mediave ndërkombëtare në anglisht është tregues se vëmendja që protesta ka marrë jashtë vendit po shqetëson gjithnjë e më shumë qeverinë.

Lajme te lidhura

spot_img