Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka pritur në takim Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, me të cilin ka biseduar për avancimin e reformave kyçe dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas njoftimit të Saliut, në fokus të takimit ishte paketa e ligjeve që lidhen me zbatimin e Agjendës Reformuese, si dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat synojnë përshpejtimin e reformave, forcimin e standardeve demokratike dhe avancimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Sot pata nderin të mirëpres në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Biseduam për paketën e ligjeve që lidhen me zbatimin e Agjendës Reformuese, si dhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me qëllim përshpejtimin e reformave, forcimin e standardeve demokratike dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit”, ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se institucionet mbeten të angazhuara për koordinim të ngushtë në funksion të realizimit të reformave.



