BallinaLAJMEMaqedoniVLEN merr dy poste të tjera të zëvendësministrave: Priten rokada në eshallonin...

VLEN merr dy poste të tjera të zëvendësministrave: Priten rokada në eshallonin e dytë qeveritar

Koalicioni VLEN pritet të marrë pozicionet e zëvendësministrave në dikasteret e Shëndetësisë dhe të Politikës Sociale, pas bisedimeve dhe marrëveshjes së arritur me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Burime nga koalicioni konfirmojnë se propozimet konkrete me emrat e kandidatëve i janë dorëzuar tashmë kryeministrit për konfirmim përfundimtar, përcjell INA.

Ndryshimet në eshallonin e dytë vijnë si rrjedhojë e riorganizimit të kabinetit qeveritar në korrik, gjatë të cilit VLEN mbeti pa drejtimin e këtyre dy ministrive. Argumenti kryesor i koalicionit është ruajtja e balancit politik brenda partnerëve të pushtetit.

Për të marrë këto dy poste pa ndryshuar peshën e përgjithshme në qeveri, VLEN do të duhet të heqë dorë nga dy pozita të tjera zëvendësministrash.

Është pothuajse e sigurt se koalicioni do të lirojë postin e zëvendësministrit në Bujqësi (ku ministri është nga lëvizja ZNAM), vend i cili pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së.

Po ashtu do lirohet edhe posti i zëvendësministrit të Kulturës, që pritet t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM, pasi ministri aktual i Kulturës është nga radhët e VLEN-it.

Kjo parti gjithashtu pret të marrë edhe një tjetër post zëvendësministri, përveç atyre që ka në Energjetikë dhe Transformim Digjital.
Kryeministri Mickoski ka paralajmëruar se kompletimi dhe rokadat në eshallonin e dytë qeveritar do të përmbyllen brenda gjysmës së dytë të tetorit.(INA)

Lajme te lidhura

spot_img