Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka bërë të ditur se përgatitjet për zbatimin e Agjendës Reformuese po vazhdojnë me ritëm të intensifikuar, ndërsa theksoi përkushtimin e institucioneve për realizimin e reformave në funksion të përshpejtimit të integrimit evropian të vendit.
Sali njoftoi se, së bashku me kryeministrin, zhvilloi një takim koordinues me drejtorin e përgjithshëm të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Gert Jan Koopman, ku në fokus ishte progresi në zbatimin e Agjendës Reformuese dhe hapat e ardhshëm të procesit.
“Konfirmuam përkushtimin tonë për të përmbushur reformat me cilësi dhe brenda afateve të dakorduara, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe realizimit të prioriteteve strategjike të vendit”, deklaroi Sali.
Sipas tij, institucionet mbeten të angazhuara për të vazhduar zbatimin e reformave në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, me synimin për të avancuar procesin e integrimit dhe për të përmbushur objektivat strategjikë të shtetit.



