Mungesa e fuqisë punëtore, shkollat gjysmë të zbrazëta dhe plakja e popullsisë nuk janë më vetëm paralajmërime, por një realitet i hidhur me të cilin po përballet i gjithë rajoni. Ky ishte mesazhi kryesor i Konferencës Rajonale Ministrore që po mbahet në Shkup, ku u diskutua për sfidat demografike dhe nevojën për politika afatgjata që vendosin qytetarin në qendër.
Në konferencë u theksua se, nëse nuk ndryshohet qasja ndaj kujdesit për njerëzit dhe krijimit të kushteve për jetë cilësore, vendet e rajonit rrezikojnë të mbeten pa të rinj dhe pa perspektivë për zhvillim.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ka ardhur koha për plane serioze dhe afatgjata, duke paralajmëruar Strategjinë për Qëndrueshmëri Demografike 2026–2046.
“Thelbi nuk është vetëm te numrat, por te cilësia e jetës. Strategjia 2026–2046 nuk është thjesht një dokument formal, por një kornizë për ardhmërinë. Duhet ta pyesim veten se çfarë mund të bëjmë ne për atdheun, e jo vetëm çfarë mund të bëjë atdheu për ne. Nuk mund të jemi vetëm konsumues të sistemit, por duhet ta ndërtojmë atë. Mesazhi im për të rinjtë është që të ëndërrojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre”, deklaroi Mickoski.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, tha se konferenca ka hapur një debat të rëndësishëm rajonal për të ardhmen e shoqërive tona dhe për mënyrën se si mund të ndërtohet një qëndrueshmëri demografike në shërbim të qytetarëve.

Sipas tij, diskutimet përcollën një mesazh të qartë se ndryshimet demografike nuk duhet të shihen vetëm si problem, por si një thirrje për ndërtimin e shoqërive më humane, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.
Ai theksoi se shteti duhet të investojë në mënyrë aktive dhe afatgjatë tek njerëzit, përmes politikave që lidhin ekonominë, arsimin, mbrojtjen sociale dhe zhvillimin rajonal.
“Si Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë mbetemi të përkushtuar ndaj politikave që i vendosin njerëzit në qendër – përmes mbështetjes së familjeve, avancimit të mbrojtjes së fëmijëve, zhvillimit të shërbimeve sociale dhe krijimit të kushteve që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, deklaroi ministri Limani.
Në konferencë foli edhe zëvendësdrejtori i UNFPA-së, Pio Smith, i cili paralajmëroi se Evropa Lindore mbetet rajoni me rënien më të shpejtë të popullsisë në botë.
“Në këtë rajon ndodhen 11 popullsitë me rënien më të shpejtë në botë. Njerëzit dëshirojnë të kenë më shumë fëmijë, por barrierat ekonomike dhe sociale i pengojnë. Çdo dollar i investuar në të dhënat për popullsinë sjell një kthim prej 32 dollarësh. Duhet të mbrojmë të drejtat riprodhuese dhe barazinë gjinore nëse duam ta ndryshojmë këtë trend”, theksoi Smith.
Punimet e konferencës do të vazhdojnë edhe nesër, ndërsa pritet që në përfundim të dalin rekomandime konkrete për harmonizimin e politikave rajonale në përballje me sfidat demografike.



