BallinaLAJMEMaqedoni“Shkupi 2028“: Projekt prej 172 milionë eurove me ambicie të mëdha, pa...

“Shkupi 2028“: Projekt prej 172 milionë eurove me ambicie të mëdha, pa rezultate

Në hotelin e braktisur “Jadran”, të njohur si “Shtëpia Arabe”, duhej të ringjalleshin përrallat nga “Një mijë e një net“ si pjesë e projektit “Shkupi 2028 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës“. Në librin e parë ose të ashtuquajturin Bidbook, program ku përshkruhet me detaje projekti që u miratua nga institucionet evropiane në vitin 2022, është paraparë që secila nga dhomat e hotelit të shndërrohet në hapësirë për ekspozita, performanca, koncerte, instalacione artistike, lexime dramatike dhe letrare etj. E gjithë kjo e frymëzuar nga temat e hotelit, sipas narrativit të “Një mijë e një net“ – kuzhina arabe, kultura arabe, orienti lokal, retro orienti dhe Evropa, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.

“Kjo është ideuar si kaleidoskop i ikjes nga realiteti, takimeve sekrete, spiunëve, disidentëve, revolucionarëve, refugjatëve, zonjave të natës, dervishëve dhe muftinjve të maskuar, dashnorëve, ushtarëve, policëve, kriminelëve, tajkunëve ballkanikë, diplomacisë evropiane që pi çaj të zi dhe jasemin të distiluar etj. Bëhet fjalë për projekt autentik që pasqyron energji të fuqishme krijuese dhe që i relativizon të gjitha pengesat dhe orientimet sociale e politike“, thuhet në propozim-programin (Bidbook) me të cilin është siguruar titulli Kryeqyteti Evropian i Kulturës.

Por, kjo ka pak gjasa të ndodhë në dy vitet e ardhshme për të paktën dy arsye.

E para është se shteti këtë vit në muajin qershor refuzoi ta blejë trashëgiminë kulturore nga pronari privat “Makedonija Turist“. Sipas hulumtimit të BIRN/Prizma, “Makedonija Turist“ ia ka ofruar shtetit këtë objekt të periudhës së eklektizmit nga fillimi i Shekullit XX për 1,9 milionë euro. Por, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në emër të shtetit e ka refuzuar ofertën.

Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme se pse përralla nga “Një mijë e një net“ nuk do të ringjallet në Shkup qëndron në faktin se në programin e ndryshuar, i cili është shkruar nga ekipi i mëparshëm i formuar nga ish-kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ky projekt i miratuar nga autoritetet evropiane nuk është përfshirë.

Ideja e parë në librin e ashtuquajtur Bidbook të miratuar nga Komisioni Evropian, e cila, siç thotë kryeministri Hristijan Mickoski duhet të realizohet, me ndryshimin e ekipit që e hartonte atë pësoi të paktën tri ndryshime thelbësore.

Me çdo ndryshim të pushtetit ka ndryshuar edhe ekipi me çka humbet edhe kontinuiteti i parashikuar i këtij projekti, thuhet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian në lidhje me monitorimin e projektit.

Autore e projektit për “Shtëpinë Arabe” është Ivanka Apostollova, e cila më parë ishte edhe udhëheqëse e ekipit që e shkroi programin e parë. Sipas saj problemi më i madh nuk është te ndryshimi i shpeshtë i ekipit, sa te moszbatimi i obligimeve të cilat janë premtuar para Komisionit Evropian. Ajo thotë se “nga projektet fillestare ka mbetur një pjesë prej rreth pesë përqind“, por edhe kjo nuk është problem aq i madh, sa ajo që asgjë nga ajo që është shkruar dhe premtuar nuk është realizuar.

“Çfarëdo që të them është e kotë, tri herë është ndryshuar Bidbook-u. Nuk jam e kënaqur, jo sepse janë hequr disa nga projektet e mia apo të kolegëve nga ekipi i atëhershëm, por sepse te ne gjërat bëhen në mënyrë oportuniste, egoiste dhe vetjake, sikur dikush këtë ta bëjë vetëm për vete. Disa shuma u vendosën në projekte triviale. Disa gjëra janë edhe të mira, por ato duhet të jenë plotësim i Bidbook-ut fillestar dhe të pasurohen me projekte kulturore, e jo të fshihen e të fillohet përsëri nga e para me projektet. Kjo është shumë joserioze“, tha Apostollova.

Kritika nuk ka vetëm për ndryshimet e programit. Po aq e paqartë është edhe ana financiare e projektit, pasi nga dokumentet me qasje publike nuk mund të fitohet pasqyrë e plotë e buxhetit të përgjithshëm, shpërndarjes së mjeteve dhe realizimit të investimeve të paralajmëruara. Publiku nuk ka qasje në programin e fundit (Bidbook) e as në detajet për financimin e projektit.

Deri në publikimin e këtij teksti nga Qyteti i Shkupit nuk morëm përgjigje në pyetjet e drejtuara lidhur me buxhetin e përgjithshëm dhe programin e parashikuar. Nga dokumentet e qasshme publikisht mund të shihet vetëm se çfarë është premtuar deri më tani në disa nga programet e ndryshuara për “Shkupi 2028”.

Shtyllat kryesore të “Shkupi 2028”
Një nga katër shtyllat artistike mbi të cilat ndërtohet projekti Shkupi 2028 është infrastruktura kulturore. Rikonstruimi i Sallës Universale është i vetmi objekt që gjendet në të gjitha ndryshimet e programit. Mirëpo, edhe realizimi i tij po vonon.

Idetë e para më serioze dhe konkurset për projektin ideor të rikonstruimit datojnë nga vitet 2004–2005, e më pas edhe në vitet 2008–2009 kur u ofruan projekte në formë “veze“.

Por, paralajmërimet dhe vendimet zyrtare për rikonstruim gjithëpërfshirës filluan të radhiten me intensitet pas vitit 2015 kur Salla Universale u mbyll tërësisht për përdorim për arsye sigurie.

“Meqenëse kjo është salla kryesore e qytetit për ngjarje kulturore me publik më të madh (1.500 ulëse), rikonstruimi i saj është me rëndësi strategjike“, thuhet në programin e parë të vitit 2022.

Rikonstruimi i Sallës Universale, sipas njoftimeve të ministrit të deritanishëm të kulturës Zoran Ljutkov , duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027. Sipas njoftimit ai duhet të realizohet me parimin “çelës në dorë“ dhe të kushtojë rreth 20 milionë euro, para të siguruara nga Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës.

Për projektin “Shkupi 2028” është premtuar buxhet operativ prej 129 milionë euro
Në programin e parë për “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“ të përpiluar në vitin 2022, qëllimi i të cilit ishte që qyteti të merrte pjesë në para-selektimin e konkursit, nuk është definuar buxhet konkret për ngjarjet kulturore gjatë gjithë vitit dhe rikonstruimin e objekteve kulturore. Në programin e dytë të vitit 2023 buxheti operativ për “Shkupi 2028“ është paraparë të arrijë në pothuajse 129 milionë euro.

“Buxheti i propozuar prej 128.548.540 euro i dedikuar për organizimin e “Shkupi 2028” mund të duket i konsiderueshëm, por është edhe pragmatik dhe i realizueshëm, duke i pasqyruar saktësisht aspiratat e projektit“, thuhet në Bidbook-un e vitit 2023 me nënshkrimin e Arsovskës.

Por, një vit më vonë, në raportin e Komisionit Evropian për monitorimin e zbatimit për Kryeqytetin Evropian të Kulturës është theksuar se kërkohet garanci konkrete për 129 milionë eurot e parapara për buxhetin operativ në listën përfundimtare të ofertave për përzgjedhje.

“Siç konfirmoi edhe ish ministri i kulturës gjatë dëgjimit përfundimtar për përzgjedhje në Bruksel në shtator të vitit 2023, të mos ngatërrohet me buxhetin për shpenzime kapitale prej 43 milionë euro. Paneli donte të dinte edhe nëse janë nënshkruar marrëveshje financiare me Ministrinë e Kulturës dhe kush, në fakt, do të menaxhojë me buxhetin e Komisionit Evropian“, thuhet në raport.

Në dëgjimin përfundimtar në Bruksel në shtator të vitit 2023 këtë premtim e ka dhënë ministrja e atëhershme e kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Një e dhënë interesante që buron nga krahasimi i programit të dytë – Bidbook 2023 është se në të janë listuar investime kapitale me zëra konkretë me shumë prej 44,5 milionë euro, e jo 43 milionë sa thuhet nga paneli i ekspertëve të Komisionit Evropian në raportin e monitorimit.

Dallimet konceptuale në premtimet në dy programet e para
Në programin e parë vihet re përpjekje për revitalizimin e objekteve ekzistuese, në mesin e të cilave ka edhe nga ato të braktisura, për t’u dhënë atyre pamje të re dhe mundësi për “jetë“ ndryshe. Në shikim të parë këto ndryshime në përmbajtjet e qytetit nuk kërkojnë buxhet të madh dhe mund të mbeten si trashëgimi të përhershme nga projekti, të cilat do të mund të përdoren edhe pas përfundimit të vitit të kulturës.

Këtu bën pjesë riadaptimi dhe revitalizimi i qytetit nëntokësor, korridoreve dhe strehimoreve atomike nën Kalanë e Shkupit dhe Parkun e Gazi Babës, të pasuruara dhe të ringjallura me program të pasur vendor dhe ndërkombëtar kulturor, artistik e social.

Kur bëhet fjalë për revitalizimin e Fushës së Shkupit, lokacioni periferik që deri më tani shërbente si deponi për vagona, lokomotiva dhe trena të vjetër, ai është e paraparë që të shndërrohet në poligon për art dhe kulturë. Ideja ishte që ky lokacion të transformohet në hapësirë të përhershme të hapur për realizimin e projekteve të ndryshme kulturore-artistike dhe socio-kulturore nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, pas çka hapësira do të ridestinohet, do të ruhet dhe pjesërisht do të rinovohet, pra do të bëhet funksionale.

“Platforma ndërkombëtare hekurudhore “Fusha e Shkupit” ishte konceptuar të përdorej për kërcime bashkëkohore, performanca, ekspozita, video projeksione dhe filmike, si muze në qiell të hapur dhe platformë me përmbajtje për një ‘reset’ kulturor, social dhe artistik. Ky është shembull i trashëgimisë të jashtëzakonshme industriale të Shkupit“, thuhet në programin e parë.

“Shkupi 2028“ parasheh edhe renovimin e anijeve nga “Shkupi 2014”
Mes të tjerash ishte paraparë edhe transformimi dhe revitalizimi i dy anijeve në lumin Vardar, të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014“, në galeri arti dhe hapësirë rezidenciale për kulturë dhe art bashkëkohor.

“Dy anijet në lumin Vardar, të ndërtuara me para publike, në vend që të shemben do të konvertohen dhe revitalizohen në objekte të dobishme për profesionet në kulturë dhe art. Shembja e tyre është më e kushtueshme se ndërtimi“, thuhet në projektin e parë.

Për dallim nga programi i parë ku nuk është bërë plan buxhetor në programin e dytë ishte paraparë se financimi i infrastrukturës kulturore do të kushtojë të paktën 44,5 milionë euro. Por, në programin e dytë e vetmja gjë që mbetet e njëjtë është projekti për rikonstruimin e Sallës Universale. Pjesa më e madhe e projekteve me të cilat u fitua nominimi për Kryeqytetin Evropian të Kulturës në programin e dytë janë fshirë.

Programi i dytë është dorëzuar gjatë mandatit të Danella Arsovskës dhe në të infrastruktura kulturore është konceptuar krejtësisht ndryshe. Diçka e ngjashme me premtimet që Arsovska i dha në programin parazgjedhor dhe të cilat gjatë mandatit të saj katërvjeçar nuk i realizoi plotësisht.

Nga mega parqet, qendrat kulturore, teatri në Aerodrom të Shkupit, pishina në Shuto Orizare, e deri te kopshti botanik, parku për fëmijë, arena e hapur, ndërtimi i një biblioteke të re… Por, asgjë nga këto nuk është përfunduar. Ende shkruhet për “vizione“ dhe “plane për të ardhmen“, ndërsa Salla Universale është e mbyllur, biblioteka “Vëllezërit Milladinov“ po pret rikonstruim, e Qendra Kulturore e Rinisë po përballet me buxhet minimal dhe shumë borxhe.

“Ky ishte një shans që një qytet si Shkupi ta rregullonte infrastrukturën e vet, të bënte një ‘reset’ serioz të standardeve, të kritereve për krijimin e vlerave dhe kulturës dhe të katapultohej në nivel evropian, e përmes kësaj edhe botëror. Të bëhej një qendër relevante. Dhe të gjitha këto tani janë praktikisht shanse të humbura. Turizmi vjen vetë kur qyteti ju ofron program atraktiv multikulturor sepse është Kryeqyteti Evropian i Kulturës. Për mua e gjithë kjo është joserioze dhe sterile, e bezdisshme“, thotë artistja Apostollova, e cila mori pjesë në hartimin e programit të parë për “Shkupi 2028“.

Në librin e parë dedikuar “Shkupit 2028“, si pjesë e pikave të dobëta është theksuar se pikërisht infrastruktura kulturore është mjaft e vjetër dhe se nevojitet rikonstruim dhe renovim, ndërsa kapacitetet hapësinore për programet “artist-in-residence“ janë të kufizuara.

Krahas kësaj si një nga pikat e dobëta është theksuar fakti se ka shumë pak kuadër menaxhues dhe teknik me përvojë profesionale dhe ekspertizë në fushën e kulturës. Në të është theksuar se i gjithë projekti “Shkupi 2028” është konceptuar në mënyrë të tillë që realizimi i tij duhet të ndihmojë në tejkalimin e pikave të dobëta të përmendura, duke filluar nga përmirësimi i reputacionit ndërkombëtar përmes përforcimit të kapaciteteve infrastrukturore, njerëzore dhe prodhuese, e deri te fuqizimi i bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe kthimi i besimit të qytetarëve për një të ardhme më të mirë dhe të përbashkët.

Vendimi që në vitin 2028 një nga qytetet që do ta mbajnë këtë titull të jetë edhe Shkupi, në konkurrencë me të cilin ishte edhe Budva, u mor në shtator të vitit 2023. Në të njëjtën kohë, përderisa vendosej për qytetin e kulturës, kryetari i Budvës, Millo Bozhoviq, u arrestua në mes të muajit prill me urdhër të Prokurorisë Speciale Shtetërore nën dyshimin se ka krijuar një organizatë kriminale dhe ka kryer tri vepra të tjera penale që lidhen me tregtinë e drogës. Ai është zyrtar i lartë i Frontit Demokratik (FD) pro-rus të shpërbërë kohëve të fundit, i cili fitoi pushtet absolut në Budvë në zgjedhjet që u mbajtën në muajin tetor.

Iniciativa “Shkupi – Kryeqytet i Kulturës” daton që nga koha e ish kryetarit të Qytetit të Shkupit ,Koce Trajanovski, i cili ishte në krye të Qytetit të Shkupit nga viti 2009 deri në vitin 2017. Procedura ka filluar në vitin 2014. Pastaj kandidatura u dorëzua gjatë mandatit të Petre Shilegovit (2017–2021), ndërsa nominimin në Bruksel e mbrojti ekipi i ish kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Në programin e parë të shkruar në vitin 2022 është shprehur falënderim për të gjithë faktorët e administratës së qytetit që morën pjesë që nga ideimi, e deri te aplikimi dhe fitimi i titullit. Në programin e dytë këto informacione janë fshirë.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut më 20 shtator 2023 është shpallur Kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028. Shkupi është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës. Përveç Shkupit, kryeqyteti i kulturës evropiane tashmë është shpallur edhe qyteti çek Çeske Bugjejovice, ndërsa kryeqyteti i tretë do të zgjidhet më 13 dhjetor në garë mes qyteteve franceze Bourges, Clermont-Ferrand, Montpellier dhe Ruen.

Lajme te lidhura

spot_img