Në muajin prill, krahasuar me marsin, një familjeje katër-anëtarëshe i janë dashur rreth 1.000 denarë më shumë për ta përballuar muajin, tregojnë të dhënat e shportës minimale sindikale.
Në prill shoprta arrin në 68.797 denarë, ndërsa në mars ishte 67.818 denarë. Nëse familja jeton në banesë me qira prej 60 metra/katrorë, shuma rritet në 84.172 denarë, ose mbi tre paga minimale.
Një muaj për familje – Shporta minimale sindikale

Qytetarët kanë mendime të ndara për shportën e konsumit. Një pjesë thonë se populli në këtë vend jeton në varfëri, ndërsa të tjerë vlerësojnë se mund të përballohet muaji.
“Të them të drejtën, ky shtet po luan me popullin, vetëm thonë do të bëhet, do të bëhet më lirë, por vetëm po bëhet më shtrenjtë, populli jeton në varfëri“, tha një qytetar.
„Jo, nuk mundet. Si janë çmimet? Janë mjaft të larta, ndërsa njerëzit kanë edhe fatura për të paguar“, u shpreh qytetarja.
“Relativisht mundet, të paktën flas për veten time“, tha një qytetar tjetër.
Sipas sindikatës, një pagë minimale në vend nuk mjafton as për bukë dhe ujë.



