Një roje komunale e Qytetit të Shkupit ka përfunduar me thyerje të hundës pas një incidenti që ka ndodhur mbrëmë para barakave të Qytetit të Shkupit, pasi një person në gjendje të dehur ka urinuar mbi një automjet zyrtar dhe më pas ka sulmuar fizikisht inspektorin.
Nga MPB informojnë se rasti është denoncuar në orën 00:10 në SPB Shkup.
”Në bulevardin ‘Ilinden’, para Qytetit të Shkupit, një person ka sulmuar një inspektor të Qytetit të Shkupit. Tre inspektorë komunalë kanë vërejtur tre persona, prej të cilëve njëri po urinonte mbi automjetin e tyre zyrtar, pas së cilës ai menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes”, thonë nga policia.
Sipas denoncimit, pasi shokët e tij e kanë thirrur të kthehej, është vërtetuar se bëhet fjalë për personin D.T. (24 vjeç) nga fshati Lubancë i Shkupit.
”Pas një debati të shkurtër mes tij dhe punonjësit I.S. (51 vjeç) nga Shkupi, ka ndodhur një përleshje fizike, me ç’rast të dy kanë pësuar lëndime trupore”, shtojnë nga MPB.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi për “Skopje1″ se tre burra në gjendje të dehur paraprakisht kanë shkatërruar pronë publike dhe kanë urinuar mbi makinat në parkingun e qytetit.
”Roja komunale, i cili në atë moment kishte ardhur për të marrë ndërrimin, i ka regjistruar ata; njëri prej tyre ka bërë probleme, por dy të tjerët e kanë larguar. Menjëherë pas kësaj, i njëjti person është kthyer para zyrës së rojave në Qytetin e Shkupit dhe i ka ofenduar, me ç’rast ka pasur një tentativë për dhunë nga ana e tij”, thotë Gjorgjievski.
Ai shton se roja I.S. është sulmuar nga personi i dehur dhe si pasojë ka pësuar thyerje të hundës.
”Roja është dërguar në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje, ndërsa policia e ka regjistruar rastin”, shtoi kryetari.
Nga MPB thonë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.



