BallinaLAJMEMaqedoniNgërçi politikë në Strugë, Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për Këshillin Komunal

Ngërçi politikë në Strugë, Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për Këshillin Komunal

Për shkak të ngërçit politik në Këshillin e Strugës, kreu i Komunës Mendi Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për këshilltarë. Kjo vjen pasi dje për të tretën herë me radhë dështoi përpjekja për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit. Qyra sot akuzoi për një koalicion të fshehtë mes AKI-së, LSDM-së dhe listës së këshilltarëve të Ramiz Merkos, me qëllim, siç tha ai, paralizimin e Institucioneve komunale, bllokimin e zhvillimit të komunës dhe mirëqenies së qytetarëve. Me këtë, sipas tij, ata treguan se të rëndësishme për ta janë vetëm interesat e tyre personale, ndërsa këtë koalicion e quajti antikombëtar. Në këtë mënyrë është penguar realizimi i projekteve të rëndësishme për vitin 2026 me vlerë prej 5 milionë euro.

Këshilltarët e AKI-së i reaguan Qyrës duke thënë se deklaratat e tij përbëjnë përpjekje për të relaivitizuar dhe fshehur të vërtetën politike përmes akuzave selektive.

“Lista Merko të cilës sot i referoheni se gjoja qenka në koordinim me ne për të paralizuar punën e Këshillit, publikisht ka mbështetur kandidaturën tuaj z. Qyra. Propozimi i AKI-së për kryetar të Këshillit nuk u mbështet me 4 vota, ku përfshihen votat e VLEN, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Levicës dhe Listës Merko. Bllokimi institucional nuk është krijuar nga AKI, por është produkt i drejtpërdrejtë i pazareve politike që disa subjekte kanë zhvilluar mes vete, larg syrit të opinionit publik. Çdo përpjekje për ta zhvendosur fajin nga ata që realisht e kanë krijuar këtë ngërç institucional është e kotë”, thonë Këshilltarët e AKI-së në Strugë.

I pyetur nëse me VMRO tashmë e kanë dakorduar emrin e kryetarit të këshillit, Qyra pa përgjigje konkrete.

VLEN dhe VMRO DPMNE së bashku kanë gjithsej 10 këshilltarë, gjë që nuk është e mjaftueshme për shumicë në Këshillin e Strugës, i cili ka 23 këshilltarë. Për marrjen e çdo vendimi në të ardhmen, do t’u duhen edhe të paktën dy këshilltarë të tjerë.

Lajme te lidhura

spot_img