Moti sot do të jetë i vrenjtur me reshje shiu, të cilat në vende të caktuara do të jenë më të rrëmbyeshme me sasi prej 15 deri në 20 litra për metër katror. Për shkak të depërtimit të masave ajrore më të ftohta nga veriu, reshjet e shiut nëpër male do të shndërrohen në reshje dëbore.
Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi verior, e cila herë pas here do të kalojë shpejtësinë prej 60 kilometrash në orë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri në 10, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 10 deri në 18 gradë Celsius.
Në Shkup do të mbajë mot i vrenjtur me reshje të kohëpaskohshme shiu, ku do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi verior me temperaturë minimale deri në 9 dhe maksimale deri në 13 gradë. Sipas paralajmërimeve nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), nga nesër e deri në fund të javës do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vrenjtur dhe i paqëndrueshëm me reshje të kohëpaskohshme shiu dhe erë të fortë veriore.
Temperaturat do të jenë në rënie, ku ato të mëngjesit në vende të caktuara do të ulen edhe nën zero, ndërsa nga e hëna pritet stabilizim i motit dhe rritje e temperaturave ditore.



