Nisma për ripërtëritjen e Memorandumit të bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe gatishmëria për një hap të ri konkret përpara në promovimin e bashkëpunimit dypalësh, ishin temat e diskutimit në takimin e sotëm në Shkup midis zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dhe ministrit të Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit të Malit të Zi, Damjan Çulafiç.
Siç bënë të ditur nga Ministria fokus i veçantë iu kushtua menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, me theks të veçantë në rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës dhe përvojave për sisteme moderne të selektimit, trajtimit dhe ripërdorimit, si dhe nevojës për komunikim të hapur dhe efektiv me publikun.

Gjatë takimit u diskutuan edhe projektet ekzistuese dhe të planifikuara të përbashkëta, përfshirë: Projektin ndërkufitar për menaxhimin e përmbytjeve në pellgun e lumit Drin dhe Iniciativën rajonale EU4Green, e cila synon trajnime dhe forcim të kapaciteteve administrative.
Ministrat gjithashtu diskutuan për monitorimin dhe raportimin sipas kërkesave të Komunitetit të Energjisë dhe Agjencisë Evropiane për Mjedis (EEA). U ra dakord që të dy vendet të forcojnë bashkëpunimin në koordinimin e politikave, zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe përmirësimin e metodologjive të raportimit, veçanërisht në kuadër të zbatimit të objektivave të Planeve Kombëtare për Energji dhe Klima (NECP).

Takimi Mexhiti–Çulafiq, shtohet në kumtesë, përfundoi me konstatimin e përbashkët se bashkëpunimi rajonal, i bazuar në shkëmbimin e praktikave të mira dhe qasjen e koordinuar drejt integrimeve evropiane, është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të standardeve evropiane në fushën e mjedisit.



