Komuna e Çairit vazhdon investimet në përmirësimin e higjienës publike dhe infrastrukturës komunale. Nga sot, në territorin e komunës kanë filluar të vendosen 100 kontejnerë të rinj në lokacionet ku nevoja është më e madhe, me qëllim mundësimin e grumbullimit më efikas të mbeturinave dhe përmirësimin e pastërtisë në lagje të ndryshme të Çairit.
“Po investojmë vazhdimisht në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët. Vendosja e 100 kontejnerëve të rinj dhe zgjerimi i rrjetit të kontejnerëve nëntokësorë janë pjesë e përkushtimit tonë për një Çair më të pastër, më të rregulluar dhe më funksional për të gjithë”, deklaroi Mexhiti.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se investimet në higjienën publike mbeten një nga prioritetet e komunës.
Njëkohësisht, Komuna e Çairit vazhdon edhe me zgjerimin e rrjetit të kontejnerëve nëntokësorë. Deri më tani janë vendosur 15 kontejnerë nëntokësorë, ndërsa pas sigurimit të mjeteve përmes Programit për Zhvillim Urban, aktivitetet do të vazhdojnë edhe në lokacione të reja në territorin e komunës.
“Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët”, ceket në kumtesë.



