Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar pas miratimit të ligjit për “Safe City”, duke e cilësuar atë si një manovër politike mes VMRO-së dhe BDI-së në prag të zgjedhjeve.
Nga LSDM thonë se, krahas mekanizmave të tjerë të kontrollit dhe presionit, shumica qeverisëse ka miratuar ligjin për “Safe City” pa vendosur, sipas tyre, mekanizma të qartë kontrolli për regjistrimin dhe mbikëqyrjen me rreth 65 mijë kamera.
“Krahas të gjithë mekanizmave të kontrollit për presion ndaj mediave, mosmiratimit të ligjeve të harmonizuara me BE-në dhe emërimeve të gjyqtarëve e prokurorëve të afërt me pushtetin, koalicioni VMRO-ZNAM e miratoi edhe ligjin për ‘Safe City’ pa asnjë kontroll mbi incizimin dhe ndjekjen”, reagojnë nga LSDM.
Sipas partisë opozitare, pushteti ka refuzuar të pranojë rregulla të qarta dhe të rrepta për funksionimin e sistemit, përfshirë edhe ndryshimet në Kodin Penal.
Nga LSDM theksojnë se projekti “Safe City” ka nisur gjatë qeverisjes së tyre dhe ka rëndësi për sigurinë në komunikacion, por mënyra se si është miratuar tani Ligji për kundërvajtje, sipas tyre, hap derën për keqpërdorime.
“Kjo do të thotë që MPB të veprojë si instrument partiak për ndjekje, presion dhe shantazh ndaj qytetarëve, pa mekanizma mbrojtës”, theksojnë nga LSDM.
Partia shton se bëhet fjalë për një marrëveshje të heshtur mes BDI-së dhe VMRO-së.
“Kjo është lojë e BDI-së dhe VMRO-së, të cilat ishin bashkë në takimin e liderëve dhe gjatë gjithë kohës merren vesh mes vete. U mbetet vetëm ta heqin qeverinë teknike dhe janë gati për zgjedhje”, deklarojnë nga LSDM.



