BallinaLAJMEMaqedoni“HERA” realizon testime falas për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme

“HERA” realizon testime falas për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme

Në kuadër të Javës Evropiane për testimin e HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST), Asociacioni për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor HERA fton të gjithë qytetarët të bëjnë testim falas dhe konfidencial për HIV dhe IST, i cili realizohet në Qendrën Rinore “Dua të di” në Vodno, nga 17 deri më 21 nëntor, çdo ditë nga ora 15:00 deri në 18:00.

HERA thekson se HIV sot është një gjendje e kontrollueshme shëndetësore, kur zbulohet në kohë. Personat që testohen rregullisht dhe janë në terapi kanë virus të pandetektueshëm, që do të thotë se nuk mund ta transmetojnë HIV-in përmes marrëdhënieve seksuale. Përveç HIV-it, gjatë javës qytetarët mund të testohen edhe për sifiliz, gonorre, klamidinë, hepatit B dhe hepatit C, me rezultate të gatshme brenda 30 minutave.

Nga HERA thonë se testimi është anonim, falas dhe konfidencial, dhe realizohet nga profesionistë të trajnuar shëndetësorë dhe këshillues në një ambient miqësor dhe të sigurt.

HERA thekson se testimi i rregullt është një akt përgjegjësie dhe vetëdijesimi: “Sepse shëndeti i komunitetit fillon nga çdo individ.”

“Testimi është një zgjedhje që ndryshon jetë. HIV nuk zgjedh, por çdo person mund të zgjedhë të testojë. Në kohën kur terapia për HIV është e disponueshme dhe efektive, rreziku më i madh është të mos e dish statusin tënd HIV. Testimi në kohë do të thotë shëndet, kontroll dhe paqe,” thekson HERA në njoftimin për Javën Evropiane të Testimit të HIV-it dhe IST-së – “Testohu! Shiko falas, konfidencial dhe i sigurt.”

Për të caktuar testimin falas mund të kontaktoni Qendrën Rinore “Dua të di” në numrat e telefonit 070 227 386 ose 02/3176-950, përmes rezervimit online në linkun https://hera.org.mk/onlajn-zakazuvanje-pregled/ ose duke vizituar vetë qendrën në Vodno, në rrugën “Elisie Popovski Marko” nr. 2.

Shërbimet realizohen përmes Programit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Infeksioni HIV, i mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë.

Javën Evropiane të Testimit të HIV-it e promovon BE-ja me qëllim të rritjes së qasjes në testim për HIV dhe IST, si dhe të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, veçanërisht tek personat me rrezik të shtuar, njofton HERA.

Lajme te lidhura

spot_img