Nga sot, shitësit me pakicë janë të detyruar të publikojnë çmimet e shitjes së produkteve në baza ditore. Çmimet duhet të publikohen në faqet e tyre të internetit në një pjesë të veçantë dhe të përditësohen çdo ditë deri në orën 10:00.
Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi thotë se tregtarët kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me këtë detyrim të ri ligjor dhe se është në interes të qytetarëve. Detyrimi ligjor vlen për të gjithë tregtarët, përveç atyre me deri në 10 punonjës.
Lidhur me kërkesën e Odës së Tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht të produkteve ushqimore dhe joushqimore, pijeve dhe duhanit, për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit, ministri Durmishi planifikon të takohet me ta javën e ardhshme.
Gjobat për mospërmbushje të detyrimit ligjor shkojnë deri në 10 mijë euro, ndërsa ministri Durmishi njofton se inspektorët e Inspektoratit të Tregut do të bëjnë kontrolle në terren.
Obligimi për publikimin e çmimeve të shitjes së produkteve buron nga ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve që janë publikuar në Gazetën Zyrtare më 4 mars, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka përgatitur Rregulloren për mënyrën e shpalljes së çmimeve të mallrave.



