Në një aksion të përbashkët të Policisë së Maqedonisë, DSS-së amerikane dhe autoriteteve të sigurisë së Shqipërisë, në Durrës u arrestuan dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca” “Bazuar në informacionin e Policisë së Maqedonisë, në Durrës, Republika e Shqipërisë, është realizuar një operacion ndërkombëtar policor, në të cilin janë privuar nga liria Musa Xhevit (26), i lindur në Shkup, dhe Senafi Nuredini (34), i lindur në Norvegji, të dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal ‘Bellanoca’, ndaj të cilëve Interpoli ka lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për kryerje të veprave penale: ‘vrasje’, ‘tentim vrasje’, ‘lëndim i rëndë trupor’, ‘prodhimi, mbajtja dhe tregtimi i paautorizuar i armëve ose lëndëve shpërthyese’ dhe ‘bashkim kriminal’”, thuhet në njoftimin e policisë së Maqedonisë.
Gjatë privimit nga liria, personave u janë gjetur dokumente personale të falsifikuara, për të cilat ekziston dyshimi se i kanë përdorur për të dalë nga territori i shtetit tonë dhe për t’iu shmangur drejtësisë. Ky aksion është rezultat i një bashkëpunimi disamujor ndërmjet Policisë së Maqedonisë, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë të Republikës së Shqipërisë.



