Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai bëri të ditur se ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij nga ky post. Ai ka bërë publike letrën e dorëheqjes dorëzuar kryeministrit Hristijan Mickoski, përcjell INA.Ja letra e plotë:
Të dashur miq dhe bashkëqytetarë,
Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë.
Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.
A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po.
Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap.
Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët”, shkroi Fetai, i cili mori këtë post më shumë se dy vite më parë i propozuar nga ASH e Arben Taravarit, si pjesë e koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe VLEN.(INA)



