Me nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore, Shefi i Shtabit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Faton Ahmeti, mbajti një konferencë për shtyp ku dha mesazhin e tij të parë drejtuar qytetarëve dhe mediave. Ai theksoi rëndësinë historike të këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si më shumë se zgjedhje lokale – një referendum për të ardhmen politike dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Askush nuk ka të drejtë të vendosë në vend të qytetarëve. Vetëm ata kanë fuqinë për të zgjedhur përfaqësimin që dëshirojnë,” deklaroi Ahmeti.
Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në Konventën e mbajtur një natë më parë në Arenën “Boris Trajkovski”, ku sipas tij, u dëshmua fuqia reale e popullit.
Ahmeti theksoi angazhimin e Aleancës për një fushatë të ndershme, transparente dhe me standarde evropiane. Ai bëri thirrje për debat të hapur mbi ide dhe programe konkrete, duke garantuar se subjekti i tij do të ofrojë një alternativë të qartë për qytetarët.
“Fitorja e Aleancës Kombëtare për Integrim do të jetë e madhe, absolute dhe simbol i fuqisë së shqiptarëve,” shtoi ai.
Në fund, ai bëri apel për pjesëmarrje masive në procesin zgjedhor dhe kundërshtoi çdo tentativë për manipulim apo frikësim të votuesve, duke e cilësuar të dështuar çdo përpjekje të tillë.



