BDI dorëzoi Interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski. Ilir Hasani nga kjo parti sqaroi se kërkesa për përgjegjësi është për shkak të deklaratave të Kostadinovskit lidhur me Ligjin për gjuhët, me të cilat ka shkelur Kushtetutën, duke thënë se ai ligj ka shkaktuar kaos në shoqëri.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski mbetet në qëndrimin se nuk do të komentojë deklarata dhe veprime politike. Lidhur me mundësinë e interpelancës së një gjyqtari kushtetues, Gjykata tashmë zyrtarisht ka dhënë qëndrimin e saj më 13 mars 2025, informojnë nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së paralajmëruar për interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me interpelancën e gjykatësve kushtetues, Gjykata në mars të këtij viti doli me qëndrimin se “Kushtetuta nuk parashikon asnjë mundësi shkarkimi të ndonjë gjyqtari kushtetues as nga pushteti legjislativ dhe as nga ai ekzekutiv” dhe se instituti “interpelancë” i paraparë në bazë të nenit 72 të Kushtetutës në asnjë rast nuk mund të zbatohet për gjykatësit kushtetues.



