Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se me propozim-ndryshimet e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore synohet të vlerësohen njohuritë, përvoja dhe kontributi i punonjësve shëndetësorë me përvojë shumëvjeçare.
Duke folur në shënimin e 80-vjetorit të Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë, Aliu theksoi rëndësinë e kujdesit për të moshuarit, duke e cilësuar atë si tregues të pjekurisë dhe humanizmit të një shoqërie. Ai vlerësoi kontributin shumëvjeçar të kësaj organizate në përkrahje të pensionistëve.
Po ashtu, ai bëri të ditur se përmes programeve të Ministrisë është siguruar trajtim spitalor falas dhe lirimi nga pagesa e pjesëmarrjes për pensionistët me të ardhura të ulëta, me qëllim lehtësimin e barrës financiare dhe përmirësimin e qasjes në shërbimet shëndetësore.



