Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, shpalli në një konferencë për shtyp fillimin e aktiviteteve për 10-vjetorin jubilar të themelimit dhe të nisjes me punë të këtij institucioni.
Sipas Rektorit Fetaji, dhjetë vite për një institucion të arsimit të lartë janë një rrugëtim i rëndësishëm, me përkushtim, sfida, ndërtim institucional dhe kontribut në formimin e gjeneratave të reja. Ai tha se jubileu është rast për të reflektuar mbi rrugën e bërë, për të vlerësuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e universitetit dhe për të përcaktuar drejtimet e zhvillimit në të ardhmen.
„Një përvjetor i tillë nuk duhet të shënohet vetëm me ceremoni solemne, por me aktivitete konkrete që pasqyrojnë misionin dhe vizionin e Universitetit“, u shpreh Fetaji.
Për këtë arsye, cikli i aktiviteteve jubilare nis me Universiadën Mbarëkombëtare “Çair 2026”, e cila mbahet nga 19 deri më 21 nëntor, në kuadër të Festave të Nëntorit. Sipas Rektorit, kjo zgjedhje ka domethënie të veçantë. Festat e Nëntorit janë pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare, ndërsa sporti është gjuhë universale që i bashkon të rinjtë dhe promovon respektin, solidaritetin, disiplinën dhe bashkëpunimin. Me Universiadën synohet të krijohet një hapësirë e përbashkët për universitetet shqiptare dhe të forcohen lidhjet mes tyre.
Agjenda jubilare përfshin edhe aktivitete akademike, shkencore, kulturore dhe sportive. Ato do të prezantojnë punën dhe rezultatet e Universitetit, do të vlerësojnë kontributin e stafit akademik dhe administrativ, do të promovojnë studentët dhe do të forcojnë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Fetaji theksoi se dhjetëvjetori duhet të jetë pikënisje për një fazë të re zhvillimi, me fokus te cilësia e arsimit, kërkimi shkencor, ndërkombëtarizimi dhe mundësitë e reja për studentët.
UNT do të organizojë edhe një ceremoni solemne, data e së cilës do të bëhet publike së shpejti. Në këtë ceremoni do të promovohet Monografia e parë e UNT-së, do të ndahen pllaketa për personalitetet që kanë kontribuar në ngritjen dhe zhvillimin e universitetit dhe do të shpallet titulli “Doctor Honoris Causa”.
Rektori Fetaji falënderoi Komunën e Çairit për bashkëpunimin dhe mbështetjen në organizimin e Universiadës, si dhe të gjitha universitetet pjesëmarrëse dhe bashkëpunëtorët.
„Dhjetëvjetori nuk është vetëm shënim i historisë sonë, por një zotim për të ardhmen dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj gjeneratave që vijnë“, përfundoi Prof. Dr. Bekim Fetaji.



