Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varrezat e 32 martirëve të luftës në Kompleksin Memorial në Kaçanik.
Kryeministri Kurti ka thënë se te të gjitha varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve e martirëve të luftës gjithandej vendit, bëhen homazhe jo vetëm për t’i nderuar ata, por edhe për ta ripërkujtuar se sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë dhe të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku.
Kryeminnistri Kurti gjithashtu tha se të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë dhe para luftës, janë bërë me plan, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë ku shfarosen shqiptarët, ku shqiptarët të spastrohen etnikisht, për ta realizuar një Serbi të Madhe.
“Përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë”, ka thënë Kryeministri Kurti.



