BallinaLAJMEKosovëKonjufca: VV-ja synon formimin e qeverisë me pakicat joserbe, opozita ishte agresive

Konjufca: VV-ja synon formimin e qeverisë me pakicat joserbe, opozita ishte agresive

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 396,022 vota (42,27%). Pas LVV-së renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.28%, ndërsa koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe disa partive më të vogla ka marrë 7.07% të votave.

Megjithëse LVV ka dalë partia e parë, ajo nuk ka arritur shumicën absolute, duke e bërë të nevojshme gjetjen e partnerëve për krijimin e qeverisë së re.

LVV ka 48 ulëse, ndërsa për të siguruar shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, i duhen edhe të paktën 13 vota shtesë.

Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se partia synon të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave joserbe.

“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, ka deklaruar Konjufca për OBCT.

Në Kuvend, pakicat joserbe kanë 10 vende të rezervuara dhe me mbështetjen e tyre LVV mund të arrijë në 58 ulëse. Një mbështetje tjetër mund të vijë nga Nenad Rashiq, i cili shërbeu si ministër në Qeverinë Kurti II, i cili ka fituar një vend në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të siguronte të gjitha 10 vendet e saj.

Megjithatë, edhe me këtë mbështetje, LVV-së i duhen edhe të paktën dy deputetë të tjerë për të siguruar shumicën e thjeshtë parlamentare.

Konjufca ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e partive opozitare për të bashkëpunuar në formimin e qeverisë.

Ai ka theksuar se opozita ka ndjekur një qasje penguese dhe një diskurs të ashpër ndaj LVV-së.

“Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si liderë dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të pabazuara dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka deklaruar ai.

Lajme te lidhura

spot_img