Në një komunikatë KMSHK thekson se raportimi për ngjarje të rënda duhet të bëhet me ndjeshmëri dhe vetëm kur ekziston interes i lartë publik.
“Nëse interesi publik është i lartë, atëherë duhet të respektohet privatësia e të prekurve, të mbulohen fytyrat dhe të përdoret diskrecion maksimal”, thuhet në deklaratë.
Mediat janë të detyruara të respektojnë të drejtën e familjeve për të mbajtur zi dhe të raportojnë me empati dhe vetëpërmbajtje.
KMSHK thekson se publikimi i fotografive apo videove që shfaqin viktima të aksidenteve, dhunës apo vetëvrasjeve është i ndaluar, përveç rasteve kur ekziston interes publik.
Gjithashtu, këshilli kërkon që të mos bëhet identifikimi i viktimave në media, përveçse në rastet kur është e domosdoshme për interesin publik.
“Publikimi i pamjeve të kufomave, trupave të plagosur apo skenave me gjak duhet të shmanget, dhe kur është e pashmangshme, duhet të vendoset një paralajmërim për përmbajtjen e ndjeshme,” theksohet më tej në komunikatë.
KMSHK i bën thirrje gazetarëve dhe redaksive që të zbatojnë standardet etike dhe të shmangin sensacionalizmin në raportime që prekin ndjeshmërinë e publikut dhe familjarëve të viktimave./Telegrafi/



