Në këtë fazë kur kemi folur edhe me kryeministrin, nuk do të ketë rikonstruim të qeverisë, ka thënë kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami në intervistën për Alsat-M.
“Nuk kemi folur në asnjë moment për ndonjë lloj rikonstruimi as të pjesës së VLEN në qeveri.
Në asnjë moment nuk është folur, jo largimi as i Fatmir Limanit, apo ndërrimi i pozitës së Hasim Murtezanit”, ka thënë Kasami.
Sipas tij, Gostivari do t’i bashkohet zërit të ndryshimit, ndërsa bën publike se sot kanë realizuar takim liderët e VLEN-it.
“Edhe për Gostivarin dhe Vrapçishtin biseduam sot në takimin e liderëve, u dakorduam të japim disa emra dhe të nisim me një sondazh se çka thotë opinioni. Varësisht asaj që thotë opinioni, si në rastin e Strugës që ishte zëri i qytetarëve dhe fitoi Strugën, edhe në Gostivar nëse qytetarët kanë një emër të përveçëm që e duan ta shohin në krye të Gostivarit, ju garantoj se koalicioni VLEN atë emër do ta përkrah. Gostivari do t’i bashkohet zërit të ndryshimit dhe do të jetë pjesë e fitores së VLEN”, ka thënë mes tjerash Kasami.



