BallinaLAJMEBOTAKabineti izraelit për siguri miraton planin për marrjen e Gazës

Kabineti izraelit për siguri miraton planin për marrjen e Gazës

Kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar plan për marrjen e qytetit të Gazës, bëjnë të ditur agjencitë botërore, duke cituar një komunikatë nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Në kumtesë thuhet se ushtria izraelite do të përgatitet për ta marrë kontrollin e Gazës.

Vendimi i marrë herët këtë mëngjes, shënon një përshkallëzim të ri në ofensivën 22-mujore të Izraelit e cila filloi si një përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Lufta tashmë ka marrë jetën e dhjetëra mijëra palestinezëve, ka shkatërruar pjesën më të madhe të Rripit të Gazës dhe ka çuar në një uri masive në territor ku jetojnë rreth dy milionë njerëz.

Para takimit të kabinetit izraelit të sigurisë që filloi mbrëmë dhe vazhdoi gjatë gjithë natës, Netanjahu tha se Izraeli planifikon të marrë kontrollin e gjithë Rripit të Gazës dhe në fund t’ia dorëzojë administrimin e enklavës palestineze forcave arabe miqësore që kundërshtojnë Hamasin.

Megjithatë, planet e publikuara nuk u materializuan, gjë që duket se pasqyron rezervat e shefit të shtabit të ushtrisë izraelite i cili tha se kjo do të rrezikonte jetën e rreth 20 pengjeve të mbijetuar që mbahen nga Hamasi dhe do të tendoste më tej ushtrinë izraelite pas gati dy vitesh lufte rajonale. Shumë familje të pengjeve janë gjithashtu kundër, duke pasur frikë se përshkallëzimi i mëtejshëm do të çonte në vdekjen e të afërmeve të tyre.

Ushtria izraelite ka bombarduar vazhdimisht qytetin e Gazës dhe ka kryer sulme të shumta atje, duke u kthyer herë pas here në lagje të ndryshme, ndërsa luftëtarët e Hamasit po rigrupohen. Sot kjo është një nga pjesët e pakta të Rripit të Gazës që nuk është shndërruar në një zonë tampon izraelit ose nuk është vënë nën urdhra për evakuim.

Një operacion i madh tokësor izraelit atje mund të zhvendosë dhjetëra mijëra palestinezë dhe të prishë më tej furnizimin me ushqim të enklavës. Nuk është e qartë se sa njerëz jetojnë në qytet i cili ishte më i madhi në Rripin e Gazës para luftës. Qindra mijëra palestinezë ikën nga qyteti i Gazës me urdhër për evakuim në javët e para të luftës, por shumë prej tyre u kthyen gjatë një armëpushimit në fillim të këtij viti.

Lajme te lidhura

spot_img