BallinaLAJMEIbrahimi: Nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar të Çairit, nuk do...

Ibrahimi: Nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar të Çairit, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

As atëherë, as tani nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar të komunës së Çairit. Mund të them vetëm se i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Këtë në intervistën për MIA-n e thotë Zeqirija Ibrahimi, kryetar i partisë Alternativa e cila është pjesë e koalicionit VLEN. Ai në zgjedhjet lokale të vitit 2017 si anëtar i Lëvizjes Besa ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.

“Realisht as atëherë nuk kam pasur ambicie, e as tash nuk kam ambicie. Edhe atëherë, edhe tash mund të them që vetëm mund t’i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Edhe atëherë ka qenë kërkesë e subjektit që unë të garoj në zgjedhjet lokale në Çair. Sot nuk jemi në këtë pozicion. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Por, nuk është që e refuzoj kategorikisht në qoftë se kjo gjykohet si kërkesë e subjektit dhe anëtarësisë sonë. Megjithatë, uroj që në Çair të kemi një përfaqësim të mirë dhe të jetë në interes të qytetarëve të Çairit dhe shpresoj se kjo do të bëhet me një kandidat të VLEN-it, aq më tepër që qeverisja jonë ka në fokus të veçantë zhvillimin e komunave dhe mendoj që Çairi ka mundësi që të përfitoj shumë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai thekson se nuk ka asnjë arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jo. Këtë e kemi deklaruar edhe ne, edhe kryeministri që nuk ka asnjë arsye të vetme që duhet të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shumica është stabile. Realisht, ne ramë dakord që zgjedhjet lokale të mbahen veçmas dhe në vjeshtën e këtij viti, diku rreth mesit të tetorit. Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në datën e tyre të rregullt në vitin 2028. Më vjen keq që po e zhgënjej opozitën shqiptare, por ky është fati i tyre”, thekson Ibrahimi.

Ai thekson se me VMRO-DPMNE-në si partner qeveritar u arrit gatishmëri në parim që të mbështesin njëra tjetrën në zgjedhjet lokale.

“Kjo ka ndodhur në çdo cikël zgjedhor të zgjedhjeve lokale. Jo vetëm partitë e pushtetit, por edhe partitë opozitare janë mbështetur mes vete qoftë për listat e këshilltarëve, qoftë për kandidaturat për kryetarë të komunave. Rrjedhimisht në funksion të kësaj z.Mickoski ka deklaruar se do t’i mbështes kandidatët e VLEN-it. Nuk kemi folur për detaje, por besoj që në ditët në vijim pasi të shpallen zgjedhjet lokale do të kemi edhe bisedime më konkrete se ku dhe si mund të mbështetemi mes veti”, tha ai.

Ibrahimi ka thënë se deri në fund të muajit do të fillojnë të publikojnë emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Thekson se në disa komuna do të mbështesin edhe kandidatë të pavarur.

“Shpresoj se deri në fund të këtij muaji të kemi plot emra që do të garojnë në zgjedhjet lokale në emër të VLEN-it. Dua ta përsëris edhe njëherë që kandidatët e VLEN-it do të jenë të VLEN-it dhe ne nuk i ndajmë të Alternativës ose të partive të tjera, sepse interesi ynë është që VLEN-i të ketë sukses dhe jo partitë që e përbëjnë VLEN-in të mund të mburren me suksesin e tyre partiak. Rrjedhimisht, bile përtej kësaj interesi ynë është që të dalim edhe jashtë strukturave partiake të partive që e përbëjnë VLEN-in ë. Kjo duke ju ofruar kandidatë që janë të pranueshëm dhe të përshtatëm për qytetarët, siç e përmendët shembullin e Strugës. Ne përkundër asaj se kemi plot mundësi që të garoj dikush nga partitë e VLEN-it me ndonjë kandidat në Strugë, vendosëm që ta mbështesim z. Mendi Qyra, duke gjykuar se kështu i bëjmë mirë Strugë. Nuk është e rëndësishme që ne të shfaqim bajraktarizëm partiak duke e dëmtuar Strugën. Andaj, e kemi mbështetur zotin Qyra dhe kështu mund të veprojmë edhe me komunat e tjera ku mund të kemi këso kandidatë që janë të pranueshëm e të dëshirueshëm për mjedisin e tyre lokal. Nëse do të kemi edhe raste të tjera në komuna të tjera, VLEN-i nuk heziton që t’i mbështes ata”, thotë Ibrahimi në intervistë.

Lajme te lidhura

spot_img