BallinaLAJMEGjykimi për zjarrin në “Puls” shtyhet më 26 janar

Gjykimi për zjarrin në “Puls” shtyhet më 26 janar

Gjykata Themelore Penale në Shkup informon se debati kryesor për rastin për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, të caktuar për nesër, shtyhet me kërkesë të mbrojtëses së një të akuzuari, avokatja Suzana Joshevska Anastasovska.

Kërkesa, siç informojnë nga Gjykata Penale, është për arsye se gjatë ditës së djeshme mbrojtësja është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor, dhe për shkak të plotësimit të së drejtës për angazhim të avokatit të ri dhe njohjes së tij me rastin, debati i nesërm revokohet, ndërsa gjykimi vazhdon në terminin e ardhshëm, të konfirmuar, më 26 janar të këtij viti.

Suzana Joshevska Anastasovska është mbrojtëse e ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Adnan Xhaferovski.

Avokatja Suzana Joshevska Anastasovska, së bashku me profesoreshën inordinare Arlinda Kadri-Shahinoviq, dje në Kuvend u zgjodhën anëtare të këshillit Gjyqësor me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan, është në procedurë të provave dhe duhej të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve përfaqësues ligjor të të dëmtuarve.

Të gjithë 35 të akuzuarit në fillim të gjykimit thanë se nuk ndjehen fajtorë për tragjedinë. Disa prej tyre shprehën keqardhje ndaj familjeve të viktimave, por mbetën në qëndrimin se nuk kanë kryer vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Në fillim të procesit, në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt vërtetimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën – kush lejoi, kush heshti dhe nuk parandaloi të ndodhë tragjedia në “Puls”. Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm kush e vuri zjarrin, por edhe kush pati mundësi ta parandalojë, duke theksuar se tragjedia nuk është rezultat vetëm i piroteknikës, por edhe i lëshimeve sistematike shumëvjeçare, heshtjes institucionale dhe mungesës së kontrollit, që e shndërruan diskotekën në një kurth vdekjeprurës.

Lajme te lidhura

spot_img