Me një grant të ri prej 2 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një kuadër investimi prej 90 milionë euro, ka nisur faza e dytë e projektit më të madh ndonjëherë për menaxhimin e mbetjeve në Maqedoninë e Veriut.
Pas implementimit të suksesshëm të fazës së parë në Pollog, Jugperëndim dhe Pellagoni, projekti kalon në një etapë të re që do të përqendrohet në rajonet e Vardarit dhe Juglindjes.
Kjo fazë e re përfshin:
Ndërtimin e deponive sanitare moderne sipas standardeve evropiane;
Krijimin e stacioneve të transferimit të teknologjisë së avancuar;
Furnizimin me automjete dhe mekanizma efikas për mbledhjen dhe transportin e mbetjeve;
Mbylljen dhe rehabilitimin e deponive të egra dhe joformale, që për dekada kanë ndotur mjedisin dhe rrezikuar shëndetin publik.
Me rast zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Ekologjisë, Izet Mexhiti, deklaraoi
“Ky projekt nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por një hap gjigant drejt një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët tanë. Me mbështetjen e BERZH-it dhe përkushtimin tonë institucional, po vendosim një standard të ri në shërbimet publike – aty ku më parë kishte vetëm kaos dhe mungesë strategjie.”
“Menaxhimi modern i mbetjeve nuk është luks, por domosdoshmëri. Ai lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian,” – shtoi Mexhiti.
Ky projekt shënon kalimin nga improvizimi në planifikim afatgjatë, duke garantuar trajtimin e barabartë të të gjitha rajoneve dhe ndërtimin e një sistemi funksional, efikas dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në nivel shtetëror.









