Në Anchorage, gjithçka është gati! Sytë e gjithë botës janë kthyer nga Alaska, aty ku për pak minuta liderët e dy fuqive të mëdha do të ulen përballë njëri-tjetrit për të arritur një marrëveshje për luftën në Ukrainë.
Tapeti i kuq është shtruar mes avionëve ushtarakë, gati për të mirëpritur Vladimir Putinin dhe Donald Trumpin…
I pari që zbriti në tokën e Alaskës ishte presidenti amerikan, disa minuta më pas presidenti rus.
Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar pamjet e para nga salla, ku do të mbahet konferenca për shtyp pas takimit. Në një shkrim në sfond, duket qartë mesazhi “Në kërkim të paqes”.
20:55 – Takimi me Vladimir Putin, cilët janë dy zyrtarët që do të shoqërojnë Donald Trump
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Trump do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i Dërguari i Posaçëm, Steve Witkoff.
Në drekën dypalëshe që do të pasojë, do të marrin pjesë gjithashtu Rubio, Witkoff, Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe shefja e kabinetit Susie Wiles.
20:49 – Trump përshëndet politikanët e Alaskës në Air Force One ndërsa pret mbërritjen e Putinit
Presidenti Donald Trump ndodhet ende në bord të Air Force One ndërsa pritet mbërritja e Presidentit Vladimir Putin në Alaska. Teksa pret në avion, ai po përshëndet senatorët e Alaskës, Lisa Murkowski dhe Dan Sullivan, si dhe guvernatorin e shtetit, Mike Dunleavy, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Trump ka një marrëdhënie disi të tensionuar veçanërisht me Murkowskin, e cila shpesh kundërshton prioritetet e tij në Senat.
20:46 – Një ‘frymë’ larg takimit në Alaskë mes Trump e Putinit, disa persona protestojnë me flamujt e Ukrainës
Protesta në mbështetje të Ukrainës kanë ndodhur në prag të takimit shumë të pritur midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Anchorage të Alaskës, ku ata pritet të diskutojnë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Trump dhe Putin pritet të takohen në shkallët e avionit!
Në një reagim të fundit nga Kremlini thuhet se bisedimet mes Presidentit amerikan dhe atij rus do të zgjasin me orë të tëra. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, bisedimet Trump-Putin mund të zgjasin deri në shtatë orë. Sipas tij, Trump do e presë Putin në shkallët e avionit, kur ky i fundi të mbërrijë në Alaskë.
Rrugës për në Anchorage, Presidenti Putin vizitoi Magadanin, një qytet port në Detin e Okhotsk. Ai u ndal te një fabrikë e përpunimit të vajit të peshkut, si dhe zhvilloi një takim me zyrtarët vendas.
Më herët gjatë ditës, Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh i bindur se homologu rus nuk do të bëjë lojëra në takimin e tyre të parë kokë më kokë në 6 vjet.



