BallinaLAJMEDua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë e tyre në Londër

Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë e tyre në Londër

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni intime të mbajtur në Londër. Çifti u martua në Old Marylebone Town Hall, një nga lokacionet më të njohura për dasma në Britaninë e Madhe, ku ndër vite janë martuar edhe shumë emra të njohur të skenës artistike.

Sipas fotografive të publikuara nga mediat britanike, Dua Lipa dhe Callum Turner u panë duke dalë të kapur për dore pas ceremonisë civile, ndërsa familjarët dhe miqtë e afërt i pritën me konfeti dhe petale lulesh.

Për ditën e veçantë, Dua zgjodhi një kostum të bardhë të personalizuar nga shtëpia e modës Schiaparelli, i dizajnuar nga Daniel Roseberry, ndërsa Callum Turner u paraqit me një kostum klasik ngjyrë blu të errët.

Megjithatë, festimet nuk përfundojnë me kaq. Sipas Vogue, çifti pritet të organizojë një ceremoni të dytë martesore në Palermo të Sicilisë, e cila do të zgjasë tri ditë dhe mund të mbledhë shumë figura të njohura nga bota e muzikës, modës dhe spektaklit.

Dua Lipa dhe Callum Turner nisën lidhjen e tyre në fillim të vitit 2024, ndërsa fejesën e konfirmuan në qershor të vitit 2025. Që atëherë, ata janë shfaqur shpesh së bashku në ngjarje publike dhe udhëtime, duke u kthyer në një nga çiftet më të komentuar të showbizit ndërkombëtar.

Lajme te lidhura

spot_img