BallinaLAJMEBOTADita botërore e ushqimit dhe 80 vjetori i themelimit të FAO-s: Ushqimi...

Dita botërore e ushqimit dhe 80 vjetori i themelimit të FAO-s: Ushqimi nuk është vetëm nevojë, por edhe dinjitet, shëndet, e ardhme, kulturë dhe identitet

Ushqimi nuk është vetëm nevojë, por paraqet edhe dinjitet, shëndet dhe ardhmëri. Është kultura dhe identiteti jonë. Fermerët e krijojnë ekonominë vendore dhe përmes punës së tyre na mundësojnë siguri ushqimore. Ta ruajmë më të mirën maqedonase, të prodhojmë prodhime bujqësore cilësore dhe të mundësojmë që secili të ketë qasje në ushqim të sigurtë, porositi sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

Në ngjarjen me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit dhe 80-të vjetorin e themelimit të FAO-s, Tripunovski përmendi se jemi dëshmitarë të sfidave të shumta, konflikteve, katastrofave natyrore, ndryshimeve klimatike dhe pandemive, por misioni mbetet i pandryshuar – të sigurohet ushqim për të gjithë, të forcohet bujqësia dhe të ndërtohet një e ardhme më e sigurt.

“Qeveria dhe FAO viteve të fundit ndërtuan një partneritet të fortë dhe të besueshëm, treguan se si me punë të përbashkët mund të arrihen rezultate konkrete, kushte më të mira për bujqit, ushqim më cilësor për qytetarët dhe zhvillim të qëndrueshëm të fshatrave tanë. Maqedonia ka një traditë të pasur bujqësore – nga fushat me drithëra të Pellagonisë, përmes vreshtave në rajonin e Vardarit, deri në pemishtet në Prespë, ajo i ka të gjitha parakushtet – tokë pjellore, ditë me diell, ujë të pastër dhe të sigurt për të prodhuar prodhime bujqësore cilësore”, thekson ministri.

Ai theksoi edhe se roli i bujqve, veçanërisht në këtë kohë të ndryshimeve klimatike, ndërsa më i rëndësishëm se kurrë më parë.

“Qeveria është përkushtuar në mbështetjen e sektorit bujqësor. Po punojmë shumë në modernizimin e bujqësisë, në përmirësimin e infrastrukturës në mjediset tona rurale, në blerje të besueshme dhe lehtësimin e qasjes në tregje. Qëllimi ynë është edhe sa më shumë të rinj të përfshihen në sektorin e bujqësisë”, theksoi Tripunovski.

Ai u kthye edhe në fushatën “Më e mira maqedonase” që filloi para disa muajsh.

“Më e mira maqedonase” është më shumë se një slogan, është përkushtimi ynë ndaj rritjes dhe përforcimit të prodhimit bujqësor vendor, sigurimit të prosperitetit në mjediset rurale, ngritje e vetëdijes për cilësinë, autenticitetin dhe vlerën e prodhimeve vendore, sigurimin e qasjes më të lehtë te qytetarët në produktet bujqësore vendase dhe përpunimet e tyre”, tha Tripunovski.

Me rastin e jubileut të FAO-s, në Parkun e Frankofonisë u mbollën drunj si simbol i përpjekjes së përbashkët për një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Siç tha Dame Dimitrovski, këshilltar i kryeministrit për mjedis jetësor, kjo ditë nuk është vetëm përkujtues i punës së kaluar të suksesshme të FAO-s, por edhe thirrje për të ardhmen, për përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.

“Çdo hap që hedhim sot, çdo pemë që mbjellim, çdo ndryshim që iniciojmë është një investim në të ardhmen e fëmijëve tanë. Ata meritojnë të rriten në një botë ku ushqimi është i shëndetshëm, ajri është i pastër dhe natyra është e mbrojtur. Po vendosim një simbol shprese dhe vizioni se ndryshimet janë të mundshme dhe se ato fillojnë me veprime të vogla, por domethënëse individuale nga secili prej nesh. Ato janë themeli i çdo transformimi të madh. Detyra jonë është e qartë, të vazhdojmë të investojmë në inovacion, teknologji të gjelbra dhe arsim sepse qëndrueshmëria nuk është vetëm një qëllim ekonomik ose ekologjik, por një detyrim moral ndaj brezave të ardhshëm”, tha Dimitrovski, duke theksuar partneritetin e fortë të Qeverisë me FAO-n, i cili, ndër të tjera, përqendrohet edhe në aksesin në fondet globale për klimën.

Sipas Kristina Mitiq-Arsova, koordinatore kombëtare e programit të FAO-s, në Maqedoni, tetë dekada janë një periudhë e gjatë e punës dhe përkushtimit ndaj një qëllimi – një botë pa uri dhe me jetë dinjitoze për të gjithë.

“Gjatë 80 viteve të fundit, FAO e ka ndërtuar misionin e saj mbi katër shtylla: prodhim më të mirë, ushqyerje më të mirë, mjedis më të mirë dhe jetë më të mirë, krah për krah me fermerët dhe komunitetet lokale. Ky është kuadri ynë universal që udhëzon edhe bashkëpunimin tonë me Maqedoninë. Së bashku, kemi zbatuar shumë projekte të suksesshme dhe kemi punuar si partnerë të vërtetë. Dita Botërore e Ushqimit na kujton se ushqimi është shumë më tepër sesa karburant për njerëzit, është themeli i shëndetit, paqes dhe një jete dinjitoze, ushqimi është një nga të drejtat themelore të njeriut. Kjo ditë është një kujtesë se të gjithë kemi përgjegjësi të sigurojmë ushqim të shëndetshëm, të sigurt dhe të përballueshëm, sot më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të bashkuar në këtë mision. Ndryshimi i klimës dhe humbja e burimeve natyrore kërkojnë zgjidhje të reja dhe shpikëse”, nënvizoi Mitiq – Arsova.

Në ngjarje është vendosur  gjithashtu një ekspozitë fotografike që shfaq punën e FAO-s gjatë 80 viteve të fundit, si dhe aktivitete krijuese për fëmijë dhe të rinj.

Dita Botërore e Ushqimit dhe 80-vjetori i themelimit të FAO-s po festohen nën moton “Së bashku për ushqim më të mirë dhe një të ardhme më të mirë”, dhe qëllimi është të theksohet rëndësia e veprimit të përbashkët për të krijuar sisteme ushqimore më të qëndrueshme dhe për të mbrojtur burimet natyrore.

Lajme te lidhura

spot_img