Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit së shpejti do të ketë një kryetar të ri. Procedura e përzgjedhjes, e cila u bllokua për shkak të zgjedhjeve lokale, do të rifillojë në seancën e së martës në Komisionin Parlamentar të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Intervistat me kandidatët që plotësojnë kërkesat sipas Komisionit të përzgjedhjes fillojnë me 10 kandidatët e përzgjedhur nga 12 që aplikuan në total. Në garë janë juristë e ekonomistë, si Vesna Dorevska (Shkup), ish ndihmëse ministre në MPB. Vlladimir Naumoski (Shkup), jurist, i cili është gjithashtu anëtar i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Juristi Antonio Sanev (Shkup), ish-drejtor i Ministrisë së Brendshme. Ekonomisti Branko Smilevski (Shkup), juristet Valentina Todorovska (Shkupi) dhe Nenad Trifunovski (Tetova). Avokati Feuzi Xhaferi (Gostivar), ish kandidat për Avokatin e Popullit.
Kandidatë të tjerë janë Bllagica Troshanska (Shkupi), udhëheqëse sektori në Ministrinë e Mbrojtjes, juristi Kimo Çavdar (Shkup), Adem Çuçul (Shkup). Intervistat do të zhvillohen nesër dhe të mërkurën. Sipas procedurës, Komisioni Përzgjedhës (i përbërë nga shtatë anëtarë) duhet të përcaktojë një listë renditjeje brenda tre ditëve pas intervistave.
Kjo listë renditjeje i dorëzohet më pas Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, i cili, brenda dy ditëve, i propozon Parlamentit kandidatët më të mirë në një listë të vetme të propozuar. Përzgjedhja administrative u krye nga Zëvendës Avokati i Popullit, Ilber Rufati, Darko Avramovski dhe Baldri Jashari, anëtarë të Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, si dhe deputetët Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, Saranda Imeri-Stafai nga koalicioni “VLEN”, Mitko Trajçuleski nga LSDM dhe Arbana Pasholli nga BDI. Ata u zgjodhën në gusht, ishin të autorizuar për të përpunuar të dhëna personale dhe dorëzuan deklarata me të cilat zotoheshin të siguronin konfidencialitetin dhe mbrojtjen e tyre në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por puna e tyre u ndërpre për shkak të zgjedhjeve, të cilat e pezulluan të gjithë procesin.
Njoftimi publik për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së u publikua më 1 gusht, pasi ish-kryetarja, Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqjen gjashtë ditë më parë. Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar ka ngritur akuza kundër saj për dy krime – për zbulimin e një sekreti zyrtar ish-drejtorit të TEC-it të Negotinës dhe për falsifikim kompjuterik. (koha.mk)



