Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar krijimin e një mburoje të përbashkët ajrore me aleatët e NATO-s, pas një sërë ndërhyrjesh nga Rusia në hapësirën ajrore të Polonisë dhe shteteve baltike.
Ai theksoi se Ukraina është e gatshme të trajnojë trupat dhe inxhinierët polakë për t’iu kundërvënë kërcënimeve ajrore.
Kjo nismë u mbështet edhe nga udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili kërkoi më shumë bashkëpunim mes industrisë mbrojtëse të Evropës dhe Ukrainës, si dhe një kuadër rregullator më fleksibël nga Bashkimi Evropian.
Pas incidenteve të fundit në hapësirën ajrore të NATO-s, vendet e krahut lindor të aleancës kanë rënë dakord për nevojën e një “muri dronësh” me teknologji të avancuar për zbulim, ndjekje dhe përgjim.
Megjithatë, Pistorius paralajmëroi se ky projekt nuk mund të realizohet shpejt, duke theksuar se duhen më shumë aftësi dhe kapacitete sesa janë parashikuar deri tani.



