Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, tha se Uashingtoni dhe Teherani ende po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre, edhe pse sulmet janë intensifikuar në të gjithë rajonin, duke rritur më shumë rrezikun që konflikti të përshkallëzohet në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.
“Mendoj se janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.
I pyetur nëse kishte marrë një vendim për rifillimin e sulmeve në shkallë të plotë, mes raportimeve të mediave se po takohej me këshilltarët e tij për këtë çështje, Trump tha se nuk ka marr një vendim të tillë.
“Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që mendoj se derisa po bisedojmë, do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj”, theksoi Donald Tramp, President i SHBA-së.
Komentet e presidentit amerikan erdhën pas një dite gjatë së cilës forcat amerikane goditën objektiva në mbarë Iranin, ndërsa më herët Tramp ishte zotuar për “ndëshkim të madh ushtarak” ndaj Iranit, pasi tre ushtarakë amerikanë u vranë në Jordani dhe një tjetër humbi jetën në Irak. Komentet e Trampit erdhën po ashtu në kohën kur sulmet u zgjeruan në të gjithë rajonin në orët e para. Forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite goditën pozicionet e rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, në Jemen, pasi ky grup sulmoi anije saudite në Detin e Kuq, veprime që rrezikuan ta përfshijnë në konflikt edhe Pakistanin, aleat të Arabisë Saudite.



