Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në intervistën në Alsat-M ka thënë se shpreson në zhbllokim të situatës politike lidhur me këshillin e Strugës, ku VMRO-DPMNE dhe VLEN ende nuk po arrijnë marrëveshje.
“Si VLEN kemi përkrahur kandidatin e pavarur Mendi Qyra, ne besojmë thellë se mund ta menaxhojmë edhe këtë situatë politike. E dini se situata politike dhe administrative është ndryshe nga sektori privat, më mirë është të menaxhosh me proceset në sektorin privat, pasi protokollet janë qartë të definuara, ndërsa në politikë duhet të bësh lëshime. Jam i sigurt se Mendi Qyra do ia del dhe do kemi një Strugë ndryshe”, nënvizoi Aliu.
sa i takon rikonstruimit të qeverisë, sipas tij, kjo lidhet me reformat që bëhen dhe politikat në qeveri, ndërsa shton se nuk është marrë me këtë aspekt, pasi u përfol edhe emri i tij.
“As nuk jam marrë me këtë pjesë, dua të krijoj institucion që do të jetë i pavarur, për këtë arsye kam ngritur reforma ligjore në përputhje me shtyllat bazike në ministri. Pra ideja e çdo ministri uroj të jetë të lë diçka edhe pas periudhës që ka menaxhuar me një institucion dhe kjo është kënaqësia më e madhe e çdo ministri, drejtori që menaxhon me një institucion publik”, tha ai.
Aliu shprehet se struktura organizative politike në qeveri është kjo me numrat ose resorët si që është, ndërsa struktura organizative brenda VLEN është proces që është ende i papërfunduar dhe uroj, siç theksoi “për shkurtë kohë të përfundojë”.



