Këshilli penal i Gjykatës Themelore Penale -Shkup e pranoi ankesën e Prokurorisë Themelore Publike dhe mori vendim me të cilin masa e arrestit shtëpiak për të dyshuarin S.L., i përfshirë në sulmin ndaj kryetares së komunës së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska zëvendësohet me masën paraburgim.
Siç kumtojnë nga Gjykata Penale, vendimi vjen pasi që gjykata vlerësoi se ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun nga arratisja dhe mundësia e përsëritjes së veprës në përputhje me nenin 470, paragrafi 1, pika 1 dhe 2 nga Ligji për procedurën penale. Prej atje theksojnë se i dyshuari është dërguar tashmë në burgun e Shkupit.
Incidenti ka ndodhur më 11 korrik të vitit 2025, kur kryetarja e komunës Arsovska, së bashku me nëpunësit e qytetit, kryen mbikëqyrje në një objekt të paligjshëm në ndërtim në rrugën “Sevastopollska” në Çair.
I dyshuari i parë, S.L., i cili u prezantua si pronar i objektit filloi me fyerje dhe kërcënime, ndërsa pastaj edhe sulmoi fizikisht kryetarin e komunës. Në momentin kur reaguan nëpunësit policorë i dyshuari i dytë vazhdoi me kërcënime verbale. Sipas Prokurorisë, me veprimet e tyre dy të dyshuarit shkaktuan ndjenjë frike dhe pasigurie tek të pranishmit.
Prokuroria ka ngritur procedurë kundër dy personave për veprën penale Dhunë sipas nenit 386, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit penal. Për të dyshuarin e parë u kërkua masa e paraburgimit, ndërsa për të dyshuarin e dytë u kërkuan masa paraprake, duke përfshirë ndalimin e afrimit me palët e dëmtuara, ndalimin e daljes nga vendbanimi, marrjen e pasaportës dhe paraqitjen e rregullt në gjykatë.



