Institucionet private të kujdesit shëndetësor do të detyrohen të hapin bazat e të dhënave për të monitoruar rrugën shëndetësore të çdo qytetari, njoftoi dje Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Ai shtoi se duke filluar nga data 15 shtator, bazat e të dhënave të pacientëve në institucionet private, duhet të jenë të qasshme për shtetin.
“Një komision tashmë po punon me ne, nëse ka pengesa ligjore që duhet të hiqen menjëherë, javën tjetër, dhe ne do t’u dërgojmë letër të gjitha institucioneve private të kujdesit shëndetësor nga data 15 e muajit të ardhshëm që të detyrohen të hapin bazat e të dhënave në mënyrë që të mund të mbledhim të gjithë informacionin ekzistues që ndodhet në institucionet e tyre. Kjo është e drejta e shtetit. Sepse çdo qytetar kontribuon drejtpërdrejt ose tërthorazi në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend dhe në Fond, dhe për këtë arsye, ne duhet të jemi të azhurnuar me rrugën shëndetësore të çdo qytetari të republikës sonë”, tha Aliu.



