Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka paralajmëruar se do të bllokojë propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se kundërshtimi i tij nuk bëhet për arsye politike apo personale, por për shkak të rëndësisë që ky ligj ka për të ardhmen e gjeneratave të ardhshme.
Gjatë debatit për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Sela tha se u ka bërë thirrje trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të BE-së që ta analizojnë në thelb propozim-ligjin e Qeverisë.
“Përsërita qëndrimin se do ta bllokojmë, jo për inate, por sepse ai ligj projekton ardhmërinë e brezave që vijnë pas!”, deklaroi Sela.
Ai shprehu shqetësim për mënyrën se si Raporti i Progresit trajton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar se raportimi i përgjithshëm nuk pasqyron, sipas tij, problemet dhe shkeljet që ndodhin në praktikë.



