Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Baloku, ka bërë të ditur se sot në orën 08:30 do të zhvillohet intervistimi i dëshmitarëve në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt.
Sipas tij, para Komisionit pritet të paraqiten pesë zyrtarë. Baloku ka thënë se pyetjet janë përgatitur bazuar në raportet e fundit të institucioneve përkatëse, duke theksuar se synimi është zbardhja e së vërtetës për këtë rast.
Potimi i plotë:
Mirëmëngjesi miq,
Sot, në orën 08:30, Komisioni Hetimor do të zhvillojë intervistimin e dëshmitarëve në rastin e Arlinda Zekaj.
Para Komisionit do të paraqiten gjithsej pesë zyrtarë, ndërsa pritet edhe prani e madhe e mediave.
Kemi përgatitur pyetjet bazuar në raportet e fundit që kemi marrë nga institucionet përkatëse. Do të jetë një ditë e gjatë dhe me përgjegjësi të madhe.
Besoj se jemi në rrugën e duhur për ta kryer këtë detyrë me seriozitet dhe përgjegjësi si anëtarë të Komisionit.
Ky është një rast i rëndë, që ka tronditur opinionin publik. Prandaj, është e domosdoshme të jemi në lartësinë e detyrës dhe të bëjmë gjithçka për të zbardhur të vërtetën.



