Daim Miftari
UNË DHE NJË TJETËR UNË
çdo mëngjes
një tjetër unë shfaqet në vendin tim
hap dritaren
e pi kafenë me një qetësi të rreme
ai e di ç’duhet të thotë
çfarë pamjeje duhet t’u japë syve
që të duken të përqëndruar
edhe kur janë bosh
më drejton supet kur eci
është mjeshtër në përkuljen e vetullës
e njeh saktësisht
madhësinë e një “po”- je
që nuk e beson
e ndan buzëqeshjen në sasi të vogla
të matura me syrin e tjetrit
ai takon njerëz
përshëndet
dëgjon
thotë “jam mirë”
“s’ka problem”
“mundem edhe sot”
flet me të tjerët
ndërsa zëri im i vërtetë
rri i strukur në brinjë
si një zog pa pendë
unë jam ai që pret mbrëmjen.



