Grupi i Këshilltarëve të VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit ka votuar për dhënien në shfrytëzim të përhershëm dhe pa kompensim të 19 automjeteve të reja të specializuara për Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” – Shkup.
Këshilltari i VLEN-it, Zekerija Berisha, bëri të ditur se automjetet janë siguruar nga Qeveria dhe pritet të rrisin kapacitetet e ndërmarrjes për mirëmbajtjen e higjienës publike në të gjithë territorin e qytetit.
“Si Grup i Këshilltarëve të VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot votuam për dhënien në shfrytëzim të përhershëm dhe pa kompensim të 19 automjeteve të reja të specializuara për NP ‘Higjiena Komunale’ – Shkup”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se pajisja e ndërmarrjes me automjete të reja synon përmirësimin e kushteve për mirëmbajtjen e pastërtisë në kryeqytet.
Berisha nënvizoi se përfaqësuesit e VLEN-it do të mbështesin vendimet që, sipas tij, sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
“Për ne, politika ka kuptim vetëm kur sjell rezultate konkrete për qytetarët. Prandaj, ne dhe vota jonë do të jemi gjithmonë pjesë e proceseve që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe që e çojnë Shkupin përpara”, u shpreh ai.
Në fund, Berisha theksoi se angazhimi i këshilltarëve do të vazhdojë të përqendrohet te përgjegjësia dhe realizimi i projekteve në interes të qytetarëve.
“Na kanë dhënë besimin për të punuar dhe ne këtë besim e kthejmë me punë, përgjegjësi dhe rezultate!”, përfundoi Berisha.



