Udhëtimi diplomatik do të hapet zyrtarisht në kryeqytetin shqiptar, ku Von der Leyen do të pritet në takime të nivelit të lartë nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, si dhe Kryeministri Edi Rama. Përveç bisedimeve zyrtare politike mbi hapat e mëtejshëm të anëtarësimit, shefja e ekzekutivit të BE-së ka parashikuar edhe një vizitë në ambientet e rikonstruktuara të shkollës “Emin Duraku” në Tiranë.
Agjenda intensive do të vijojë të enjten në Prishtinë, ku Presidentja e KE-së do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministrin Albin Kurti, për t’u zhvendosur më pas po atë ditë në Podgoricë për bisedime me Presidentin Jakov Milatović dhe Kryeministrin Milojko Spajić. Turi rajonal do të përmbyllet të premten në Shkup me takimet me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut, ndërsa jashtë këtij udhëtimi kanë mbetur Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina për shkak të proceseve elektorale të ardhshme në këto vende.



