BallinaLAJMEBOTA“Amerika është në epokën e artë”, Trump mbyll konventën e republikanëve me...

“Amerika është në epokën e artë”, Trump mbyll konventën e republikanëve me thirrje të fortë për zgjedhjet: Votoni ose do të shkoni në ferr

“Shkoni të votoni ose do të shkoni në ferr”. Me këtë deklaratë, Donald Trump mbylli konventën e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, një aktivitet i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, të cilat pritet të jenë vendimtare për presidentin amerikan.

Trump e shfrytëzoi takimin dyditor në Dallas për të ndezur sallën me slogane dhe premtime të forta. Mes tyre ishte edhe premtimi për një “dividend” prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan në rast të fitores së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Presidenti shkoi edhe më tej, duke u kërkuar mbështetësve një betim besnikërie ndaj tij.

Në fillim të mbrëmjes, atmosferën e ndezi nënpresidenti JD Vance, i cili përflitet gjithnjë e më shumë si një prej figurave kryesore të republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Vance sulmoi ashpër demokratët, duke i cilësuar si “partia e urrejtjes” dhe duke u bërë thirrje republikanëve të mobilizohen për zgjedhjet e nëntorit. “Ata janë partia që përbuz Amerikën dhe që ka simpati për terroristët që kryen sulmet e 11 shtatorit. Të mos harrojmë kurrë se Amerika u përket atyre që e duan”, deklaroi Vance.

Ai u kërkoi amerikanëve të shohin rezultatet e administratës republikane gjatë 18 muajve të fundit dhe të mos ia dorëzojnë vendin, siç u shpreh ai, një “grupi të çmendurish” që do ta shkatërronte. Më pas fjalën e mori Donald Trump, i cili fillimisht lavdëroi Vance dhe më pas përshëndeti mbështetësit e mbledhur në American Airlines Center, ku salla ishte e mbushur plot.

“Dy vite më parë u zgjodha për të shpëtuar Amerikën dhe i kam mbajtur të gjitha premtimet. Mora momentin e errët të Amerikës dhe e shndërrova atë në një epokë të artë”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu për pasojat që, sipas tij, do të sillte një fitore e demokratëve. “Do t’ju konfiskojnë pasurinë, do t’ju trefishojnë taksat dhe do të gjymtojnë fëmijët tuaj”, tha ai, duke përsëritur premtimin për një pagesë prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit.

Trump u kërkoi më pas mbështetësve të votojnë në zgjedhjet e nëntorit, duke u thënë: “Bëni sikur jam unë kandidati dhe emri im është në fletëvotim”.

Gjatë fjalimit, Trump foli edhe për luftën me Iranin dhe tha se nuk ka asnjë pendesë për vendimet e marra. “Nuk besoj te koncepti i pendesës. Dikush më pyeti për këtë. Nëse do të më duhej ta bëja sërish, do të veproja saktësisht siç veprova”, tha presidenti amerikan.

Megjithatë, Trump pranoi se herë pas here e vë në pikëpyetje situatën, ndërsa theksoi se Irani, sipas tij, po dorëzohet në të gjitha frontet. Duke iu referuar ngushticës së Hormuzit, ai deklaroi: “Ne kontrollojmë ngushticën e Trump”.

Në fund të fjalimit, presidenti amerikan u kërkoi të pranishmëve të bënin një betim besnikërie ndaj tij. “Ngrini dorën dhe përsëritni pas meje: I premtoj presidentit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili na do kaq shumë, se do të shkoj të votoj”, tha Trump, ndërsa publiku përsëriti fjalët e tij. Më pas, me ironi, ai shtoi: “E dini çfarë ndodh nëse nuk shkoni të votoni? Do të shkoni në ferr”.

Trump e mbylli konventën e parë republikane në prag të zgjedhjeve të mesmandatit duke përsëritur premtimin e tij për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”. Në fund, nën tingujt e himnit kombëtar amerikan, qindra balona zbritën mbi turmën, duke shënuar përfundimin e aktivitetit të organizuar nga Trump në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e nëntorit.

Top Channel

Lajme te lidhura

spot_img