Kremtimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, i cili zgjati pothuajse një muaj dhe përfundoi me koncertin e David Guettas në Arenën “Todor Proeski”, kushtoi gjithsej 340 milionë denarë, ose rreth 5,5 milionë euro.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore për vitin 2024, ndërsa 40 milionë denarët e tjerë janë mbuluar përmes donacioneve të kompanive private.
Sipas saj, për organizimin e aktiviteteve nuk janë përdorur mjete nga buxheti i shtetit. Qeveria, më 28 prill, kishte ngarkuar Lotarinë Shtetërore që të siguronte mjetet dhe të publikonte thirrje për përzgjedhjen e organizatorit.
Në thirrjen publike ishte dorëzuar vetëm një ofertë, nga kompania “Stardast” SHPKNJP Shkup, subjekti juridik përmes të cilit vepron “Avalon International Booking”. Pas përfundimit të procedurës, Lotaria Shtetërore kishte nënshkruar kontratë me organizatorin e përzgjedhur.
Drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, sqaroi se mjetet ishin pronë e kompanisë dhe nuk kishin statusin e parave buxhetore. Sipas tij, ato do të konsideroheshin mjete buxhetore vetëm nëse do të ndaheshin si dividendë dhe do të transferoheshin në llogarinë e thesarit.
Ndërkaq, pronari i “Avalon Production”, Boban Millosheski, i kërkoi publikisht falje gazetares Mirosllava Simonovska për mënyrën se si iu përgjigj gjatë një konference të mëparshme. Ai tha se kishte reaguar në afekt, për shkak të lodhjes dhe stresit.



