Dibër, 6 gusht – Komuna rurale e Mavrovës dhe Rostushës ka realizuar këto ditë një sërë aksionesh ekologjike në rajonin e Rekës së Poshtme, ku janë pastruar deponi të shumta të egra. Aksionet janë zhvilluar në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Komunale “Mavrova”, ndërsa hapësirat ku deri tani ishin grumbulluar mbeturina tashmë janë pastruar. Për të ruajtur mjedisin jetësor në këtë rajon, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë së komunës, shumë shpejt do të vendosen edhe kamera mbikëqyrëse. Nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar në disa vendbanime të Rekës së Poshtme.
“Është bërë pastrimi i deponive të shumta që ndodheshin në Rostushë, qendra administrative e komunës, si dhe në fshatrat Velebërdë dhe Bitushë. Deponitë ishin të vendosura pranë rrugëve lokale, por edhe në periferi të këtyre vendbanimeve”, ka deklaruar kryetari i komunës, Oner Jakupovski. Ai shtoi se me largimin e mbeturinave nga deponitë e egra është eliminuar edhe rreziku për ndotjen e mjedisit jetësor. Mbeturinat e grumbulluara janë transportuar nga Ndërmarrja Publike Komunale “Mavrova” në deponinë e Dibrës, në përputhje me kontratën që kjo ndërmarrje ka me Ndërmarrjen Publike Komunale “Standardi” të Dibrës.
Kompetentët lokalë theksojnë se pas pastrimit të plotë të deponive të egra do të ndërmerren masa për mbikëqyrjen e vazhdueshme të situatës. Sipas tyre, në lokacionet ku më parë janë evidentuar deponitë më problematike do të vendosen kamera vëzhgimi, tabela informuese dhe hapësira të rregulluara për grumbullimin e mbeturinave. Njëkohësisht, komuna u ka bërë apel qytetarëve që mbeturinat t’i hedhin vetëm në vendet e përcaktuara për këtë qëllim. Shoqatat ekologjike të Dibrës kanë përshëndetur aksionin e ndërmarrë nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës, duke vlerësuar se pastrimi i deponive të egra në Rekën e Poshtme do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në mbrojtjen e lumit Radikë.
Sipas tyre, deri më tani, gjatë reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës, mbeturinat nga deponitë përfundonin në lumin Radikë, ndërsa më pas transportoheshin deri në Liqenin e Dibrës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ujërave. Me eliminimin e këtyre deponive pritet të ulet ndjeshëm edhe ky rrezik mjedisor.



